Kanë përfunduar në mënyrë tragjike kërkimet për ish-ushtarakun e karrierës dhe ish-drejtuesin e Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili rezultonte i zhdukur prej pasdites së të enjtes.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, e cila bëri me dije se 55-vjeçari është gjetur pa shenja jete, duke i dhënë fund ditëve të ankthit dhe pasigurisë për familjarët dhe të afërmit.
Menjëherë pas largimit nga banesa, familja kishte nisur kërkimet dhe kishte kërkuar ndihmën e policisë, si edhe mbështetjen e qytetarëve për gjetjen e tij.
Sipas familjarëve, Kolmarku vuante nga një formë e veçantë e demencës, e cila i kishte shkaktuar probleme të theksuara me kujtesën. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai kishte humbur kontaktet me familjen, duke shtuar shqetësimin për fatin e tij.
Për më shumë se dy dekada, Kolmarku shërbeu në nivelet më të larta të Gardës së Republikës, duke u bërë një figurë e njohur në strukturat e sigurisë së vendit.
Familjarë, miq dhe ish-kolegë kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta, duke e kujtuar si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe detyrës, që i shërbeu vendit për shumë vite.



