Këshilli i Lartë Gjyqësor ka refuzuar kërkesën e Florian Ballhysës për caktimin në pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Vendimi u mor në mbledhjen plenare të KLGJ-së, ku u refuzua gjithashtu edhe kërkesa e Irena Ninos për të njëjtin pozicion. Deri më tani, Këshilli nuk ka bërë publik arsyetimin e vendimit.
Florian Ballhysa është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë shqiptare. Ai ka ushtruar detyra në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 2017 u zgjodh Komisioner Publik, një nga institucionet kyçe të procesit të vettingut.
Megjithatë, emri i tij është përmendur ndër vite edhe në artikuj dhe denoncime publike që kanë ngritur pikëpyetje mbi deklarimet e pasurisë.
Një nga çështjet e diskutuara lidhet me një kredi prej 30 mijë eurosh, të deklaruar në vitin 2010 si kredi e marrë së bashku me motrën për blerje apartamenti. Sipas analizave të publikuara në media, në deklaratat e pasurisë nuk janë pasqyruar të dhëna të mëtejshme mbi apartamentin, vendndodhjen, sipërfaqen, vlerën apo statusin juridik të pronës së financuar me këtë kredi.
Në këto analiza janë ngritur disa skenarë të mundshëm: që kredia të mos jetë përdorur për blerjen e apartamentit, që prona të jetë regjistruar në emër të motrës ose që ajo të jetë regjistruar edhe në emër të Ballhysës. Në secilin rast është argumentuar se deklarimet rezultojnë të paplota, ndërsa në rastin e fundit janë ngritur edhe dyshime për mosdeklarim pasurie.
Po ashtu, janë ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën e shlyerjes së kredisë. Në deklarimet e pasurisë nuk është sqaruar se çfarë pjese e detyrimit është përballuar nga vetë Ballhysa dhe çfarë pjese nga motra e tij, ndonëse të dy rezultojnë bashkëkredimarrës.
Një tjetër element i diskutuar publikisht ka qenë raporti mes të ardhurave dhe kursimeve të deklaruara. Sipas të dhënave të publikuara, për periudhën 2015-2016 Ballhysa ka deklaruar të ardhura prej rreth 1,690 eurosh nga konsulenca juridike, ndërsa në të njëjtën kohë rezultojnë të deklaruara kursime familjare prej 300 mijë lekësh, një mospërputhje që ka nxitur debate dhe kërkesa për sqarime.
Pavarësisht këtyre polemikave, nuk rezulton që ndaj Ballhysës të ketë një vendim gjyqësor të formës së prerë lidhur me pretendimet e ngritura publikisht mbi deklarimin e pasurisë.
Refuzimi i fundit nga KLGJ për postin e gjyqtarit të Apelit përbën një tjetër zhvillim të rëndësishëm në karrierën e ish-Komisionerit Publik, i cili më herët ka qenë edhe kandidat për institucionet më të larta të sistemit të drejtësisë./ E Vërteta.al



