back to top
19.5 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetSociale“Na lanë në qiell të hapur”/ Banorët e Arlis protestojnë kundër indiferencës...

“Na lanë në qiell të hapur”/ Banorët e Arlis protestojnë kundër indiferencës së shtetit

Protestës së zhvilluar sot, në ditën e 11-të të saj, iu bashkuan edhe banorë të kompleksit Arlis, pranë zonës së Farmacia 10 në Tiranë, i cili u përfshi nga një zjarr masiv gati dy muaj më parë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në apartamente dhe biznese.

Me pankarta dhe postera në duar, banorët shprehën revoltën ndaj asaj që e cilësojnë si indiferencë dhe mungesë reagimi nga institucionet shtetërore përballë situatës së krijuar pas ngjarjes.

Sipas tyre, pavarësisht kalimit të afro dy muajve nga zjarri që tronditi opinionin publik, qeveria, Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende zgjidhje për kërkesat e ngritura nga komuniteti i prekur.

Nga zjarri i ndodhur në kompleksin Arlis, rreth 40 familje mbetën pa banesa dhe u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa dhjetëra apartamente të tjera dhe një numër biznesesh pësuan dëmtime të konsiderueshme materiale.

Banorët thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje për pikat kryesore të peticionit që i është dorëzuar institucioneve pas ngjarjes, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente për garantimin e sigurisë së tyre dhe rikthimin në normalitet.

Një nga kërkesat kryesore të komunitetit lidhet me heqjen e fasadave të godinës, të cilat sipas tyre përbëjnë rrezik potencial për banorët dhe bizneset që vijojnë të operojnë në kompleks.

Sipas përfaqësuesve të banorëve, mbi 200 familje dhe një numër i konsiderueshëm aktivitetesh tregtare mund të përballen me rrezik nëse nuk ndërhyhet për eliminimin e problematikave të konstatuara pas zjarrit.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka mbuluar pagesën e qirasë për disa muaj për familjet që mbetën pa strehë, por banorët shprehen se kjo nuk zgjidh problemet afatgjata të shkaktuara nga dëmtimi i ndërtesës.

Ata kërkojnë transparencë mbi ekspertizat teknike, afate konkrete për ndërhyrjet e nevojshme dhe zgjidhje të plotë për sigurinë e kompleksit, duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në adresimin e kërkesave të tyre.

Pjesëmarrja e komunitetit të Arlis në protestën e sotme solli në vëmendje edhe një herë situatën e familjeve të prekura nga zjarri, të cilat deklarojnë se vazhdojnë të jetojnë mes pasigurisë dhe pritjes për një përgjigje institucionale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat