Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar këtë të enjte për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, duke e cilësuar lëvizjen si pjesë të procedurave standarde dhe masave për garantimin e sigurisë në burgje.
Në deklaratën zyrtare, institucioni pretendon se transferimi është kryer në përputhje me kuadrin ligjor dhe se për këtë lëvizje është njoftuar edhe organi i prokurorisë. Ndërkohë, urdhri që ka autorizuar transferimin është klasifikuar si dokument “sekret shtetëror”, çka, sipas Drejtorisë së Burgjeve, kufizon mundësinë e administrimit dhe vënies së tij në dispozicion jashtë procedurave të përcaktuara me ligj.
Sipas reagimit, pas mbërritjes në Fier, Veliaj është vendosur më 28 tetor në sektorin e pranimit dhe observimit, në përputhje me rregullat për trajtimin e të paraburgosurve. Një ditë më pas, më 29 tetor, strukturat përgjegjëse të institucionit kanë zhvilluar një takim me të, gjatë të cilit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe i janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet gjatë qëndrimit në burg.
Pas këtij takimi, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij, bazuar në vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i referohet nenit 38 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe nenit 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 209, datë 6 prill 2022.
Për urdhrin e transferimit, institucioni argumenton se vendimmarrja është në kompetencën e drejtorit të përgjithshëm dhe se transferimet kryhen për arsye të përligjura, mbi bazën e dokumentacionit të administruar dhe brenda kritereve ligjore.
Në përpjekje për të argumentuar se transferimi i Veliajt nuk përbën një rast të veçantë, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se nga data 16 deri më 27 tetor 2026 janë kryer edhe 24 transferime të tjera.
Reagimi vjen një ditë pasi Erion Veliaj e cilësoi lëvizjen nga Durrësi në Fier si “rrëmbim policor”, duke pretenduar se as ai dhe as avokati i tij nuk kishin kërkuar transferimin dhe se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë vendim.
Ndërsa Drejtoria e Burgjeve këmbëngul se procedurat janë respektuar, klasifikimi i urdhrit si “sekret shtetëror” bën që dokumenti që do të mundësonte shqyrtimin e arsyeve konkrete të transferimit të mos bëhet publik përmes procedurave të zakonshme. Për momentin, në reagimin e institucionit nuk bëhen të ditura arsyet specifike që çuan në transferimin e kryebashkiakut.



