Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë një paketë të gjerë vendimesh që prekin fusha të ndryshme, nga infrastruktura dhe transporti, te mjedisi, arsimi, mbrojtja, pronat dhe politikat sociale.
Një nga vendimet kryesore të mbledhjes lidhet me avancimin e projektit për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Qeveria vendosi t’i propozojë Kuvendit ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që lidhet me zgjerimin e këtij projekti strategjik për transportin hekurudhor në vend.
Po ashtu, ekzekutivi miratoi dërgimin për ratifikim në Kuvend të marrëveshjes së bashkëpunimit teknik ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për vitin 2025. Marrëveshja lidhet me projektin “Mbështetje e përafrimit të Shqipërisë me BE-në në fushën e sigurisë ushqimore”, i cili synon forcimin e standardeve dhe institucioneve në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Në fushën e mjedisit, qeveria miratoi Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike për periudhën 2026-2036. Dokumenti përcakton masat që do të ndërmerren nga ministritë dhe institucionet përgjegjëse për të përballuar efektet e ndryshimeve klimatike gjatë dekadës së ardhshme.
Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte miratimi në parim i marrëveshjes me qeverinë italiane për zbatimin e projektit “Mbrojtja e pasurive pyjore të Shqipërisë”, i cili do të bashkëfinancohet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) në kuadër të programit evropian “EU for Forests”.
Në aspektin social, Këshilli i Ministrave miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026-2030, një dokument që synon rritjen e përfshirjes sociale dhe përmirësimin e aksesit në shërbime për këtë kategori qytetarësh.
Qeveria miratoi gjithashtu raportin vjetor për ndihmat shtetërore për vitin 2025, si dhe vendimin që përcakton rregullat, dokumentacionin, afatet dhe procedurat për organizimin e aktiviteteve të vullnetarizmit nga subjektet juridike fitimprurëse.
Në sektorin e infrastrukturës, u vendos shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive private që preken nga projekti për ndërtimin e një depoje në zonën e Qytetit të Nxënësve në Tiranë, investim që do të realizohet në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.
Një tjetër marrëveshje e miratuar në parim është ajo ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjencisë gjermane GIZ për projektin “SUTi – Transporti i Qëndrueshëm Urban në Shqipëri II”, që synon përmirësimin e sistemeve të transportit urban dhe zhvillimin e lëvizshmërisë së qëndrueshme.
Në fushën e mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e rezervës së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura, rezervë që do të sigurohet nga subjektet e licencuara sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, në sektorin e arsimit, u miratua kalimi në administrim të Ministrisë së Arsimit i një sërë pronash shtetërore për nevojat e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, me qëllim ushtrimin e aktivitetit akademik dhe institucional.
Një nga vendimet me ndikimin më të madh financiar lidhet me kompensimin e pronarëve të pasurive private, sipërfaqet e të cilëve janë zënë nga ndërtime të legalizuara. Qeveria miratoi kompensimin financiar për pronarët në disa drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin, Vlorën, Shkodrën, Lezhën, Pogradecin, Sarandën, Gjirokastrën, Kukësin dhe Lushnjën.
Vlera totale e kompensimit arrin në rreth 870.7 milionë lekë, ndërsa sipërfaqja për të cilën do të kryhet kompensimi është mbi 85 mijë metra katrorë.



