Deklaratat e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, për nevojën e një procesi vetëpastrimi në radhët e Partisë Socialiste kanë sjellë reagime nga brenda kësaj force politike.
Kryetarja e Partisë Socialiste në Shkodër, Mirela Dodaj, ka komentuar thirrjen e Spiropalit drejtuar kryeministrit Edi Rama për të larguar nga PS-ja personat që ajo i cilësoi si “smerçi”, “ndryshku” apo “pehlivanllëqe”.
Në një reagim publik, Dodaj u shpreh se nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, ai duhet të fillojë nga vetë Elisa Spiropali.
Sipas saj, Spiropali ka qenë për vite me radhë një nga figurat më të privilegjuara dhe pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në PS, ndaj është e vështirë të kuptohet se kujt i drejtohet thirrja për vetëpastrim.
“Mbështes plotësisht qeverinë e Edi Ramës dhe reformat që kanë çuar Shqipërinë përpara, edhe në momentet kur ka qenë më e lehtë të bërtasësh sesa të marrësh përgjegjësi. Pikërisht për këtë arsye besoj se askush nuk duhet të sillet sot si gjykatës i të tjerëve, pasi ka qenë pjesë e pandarë e çdo procesi, çdo vendimmarrjeje dhe çdo problemi që sot kërkon të denoncojë”, shprehet Dodaj.
Kryetarja e PS-së së Shkodrës theksoi më tej se, përpara se të kërkojë llogari nga të tjerët, Spiropali duhet të japë llogari për veten.
Reagimi vjen një ditë pasi Elisa Spiropali kërkoi publikisht nga kryeministri Rama ndërmarrjen e një procesi vetëpastrimi brenda Partisë Socialiste, duke bërë thirrje për largimin e elementëve që, sipas saj, dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e kësaj force politike.



