back to top
24 C
Tirana
E shtunë, 27 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaProtestuesit nxjerrin ultimatumet për Ramën/ Zbardhen 5 kërkesat

Protestuesit nxjerrin ultimatumet për Ramën/ Zbardhen 5 kërkesat

Në ditën e 23-të të protestave kundër qeverisë, organizatorët e tubimit kanë bërë publike listën e kërkesave që i drejtojnë kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si të panegociueshme.

Gjatë protestës së zhvilluar sot, në emër të grupit koordinues ka folur Dritan Goxhaj, i cili deklaroi se kërkesat janë hartuar pas propozimeve të mbledhura nga qytetarët përgjatë më shumë se tre javëve të protestave.

Sipas Goxhajt, lëvizja qytetare synon një ndryshim të thellë të sistemit politik dhe ligjor në vend, ndërsa prezantoi pesë pikat kryesore të platformës së protestuesve.

Kërkesa e parë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar. Protestuesit kërkojnë gjithashtu ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me një mandat 12-mujor.

Një tjetër pikë e platformës lidhet me hartimin e një Kushtetute të re, e cila sipas organizatorëve duhet të garantojë barazinë e qytetarëve para ligjit dhe të miratohet përmes referendumit popullor. Në kuadër të kësaj reforme, propozohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, rishikimi i ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës politike.

Protestuesit kanë ritheksuar gjithashtu kërkesat e tyre ekonomike dhe mjedisore, duke kërkuar anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë Kulturore”, anulimin e “Paketës së Maleve” si dhe heqjen e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Në pikën e pestë të platformës, organizatorët propozojnë hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë pjesëmarrësit në protestë.

Sipas organizatorëve, këto kërkesa përfaqësojnë vullnetin e protestuesve dhe synojnë një reformim të thellë të sistemit politik dhe institucional në Shqipëri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat