KreuAktualitetPolitika“Edhe babai im të çohet nga varri nuk e duroj dot më”/...

“Edhe babai im të çohet nga varri nuk e duroj dot më”/ Kryemadhi sherr me Metën në gjykatë

Seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është shoqëruar me tensione, replika të forta dhe debate mes të pandehurve, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme dhe trupit gjykues.

Pas parashtrimit të argumenteve ligjore nga mbrojtja, Ilir Meta mori fjalën në sallën e gjyqit, duke kundërshtuar me forcë pretendimet e organit të akuzës lidhur me ndërhyrje të mundshme të tij në çështje që lidhen me Adrian Shatkun dhe persona të tjerë të përmendur në dosje.

Meta mohoi kategorikisht ekzistencën e çdo komunikimi apo ndërhyrjeje nga ana e tij ose e Monika Kryemadhit.

“Asnjë sms e Ilir Metës, as e Monikës, as për Shatkun, as për Pirro Xhixhon, as për dreqin. Të gjitha janë shpifje. Nuk ekziston asnjë mesazh. Kjo është histori grekësh. Shatku duhet të vinte këtu të sqaronte çdo gjë. Por është arratisur nga Shqipëria. Kjo është histori e sajuar nga grekë kundër Ilir Metës. Jam rrëmbyer nga kjo histori mashtrimi”, deklaroi Meta para gjykatës.

Ish-presidenti vijoi më tej duke theksuar se nuk ka ushtruar asnjë ndikim në çështjet e përmendura nga SPAK dhe se nuk mban përgjegjësi për veprimet e personave të tjerë.

“Nuk ekziston asnjë ndërhyrje imja. As për veprimet e Monikës nuk kam ndërhyrje, i di vetë ajo veprimet e saj. Tek unë nuk figuron asgjë, nuk ekziston asgjë”, u shpreh Meta.

Gjatë diskutimeve në sallë ndërhyri edhe Monika Kryemadhi, e cila iu drejtua Metës me komente ironike lidhur me pretendimet e ngritura nga prokuroria.

“Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”, deklaroi Kryemadhi.

Ndërhyrja e saj shkaktoi reagimin e menjëhershëm të trupit gjykues, i cili kërkoi ruajtjen e qetësisë dhe respektimin e rregullave të seancës.

Megjithatë, Kryemadhi vijoi me komente të tjera, duke shprehur irritimin e saj për akuzat që, sipas saj, përsëriten prej vitesh.

“Kam katër vjet që e dëgjoj. Edhe babai im të çohet nga varri nuk e duroj dot më”, tha ajo.

Pas kësaj deklarate, gjykata i tërhoqi vëmendjen dhe paralajmëroi se në rast të përsëritjes së ndërhyrjeve do të detyrohej të largohej nga seanca.

“Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni do të largoheni nga seanca”, deklaroi gjyqtari.

Nga ana e tij, Ilir Meta vijoi mbrojtjen duke deklaruar se nuk ndikohet nga mënyra se si paraqiten pretendimet e prokurorisë.

“Unë nuk impresionohem nga aktrimet”, tha Meta.

Më pas ai sqaroi se komenti i tij lidhej me ato që i cilësoi si pretendime të pabazuara të organit të akuzës.

“Unë po i referohesha pretendimeve të prokurorisë për mua, për ato momente që prokuroria i quan komprometuese. Ato nuk figurojnë tek unë. Nuk ekziston asnjë gjë. Për të kuptuar gjithë këtë përrallë me Adrian Shatkun, thuhet se kam shkuar në Marok për hatër të Adrian Shatkut. Prokuroria pretendon se Monika i ka thënë Shatkut: ‘Po ti do të vish, se Iliri për ty po vjen’. Sipas SPAK, aq i madh ka qenë ndikimi i Adrian Shatkut tek unë, sa unë po shkoja në Marok për të. Po sipas SPAK, Shatku i ka thënë se takimin me kryeministrin e Marokut e rregullonte ai. Ndërkohë, vizita ishte vizitë shtetërore. Në Marok kanë qenë edhe biznesmenë të tjerë”, deklaroi Meta.

Seanca u karakterizua nga një atmosferë e tensionuar, me përplasje verbale dhe ndërhyrje të vazhdueshme, ndërsa trupi gjykues u detyrua disa herë të rikthente rendin në sallë.

Procesi ndaj Metës dhe Kryemadhit vijon me shqyrtimin e pretendimeve të palëve, administrimin e provave dhe dëgjimin e argumenteve që lidhen me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Pritet që në seancat e ardhshme të ketë diskutime të tjera mbi provat e dosjes dhe pretendimet e mbrojtjes, ndërsa çështja mbetet një nga proceset më të ndjekura të momentit në sistemin e drejtësisë shqiptare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat