KreuAktualitetPolitikaRama paralajmëron kryebashkiakët/ "Herën tjetër do t’ju nxjerr emrat publikisht"

Rama paralajmëron kryebashkiakët/ “Herën tjetër do t’ju nxjerr emrat publikisht”

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj disa kryetarëve të bashkive në vend, duke i kritikuar për mungesën e tyre në komunitetet që drejtojnë dhe për udhëtimet e shpeshta drejt Tiranës gjatë ditëve të punës.

Deklarata u bë gjatë aktivitetit për modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike në territorin e bashkive, ku Rama tha se ka marrë vazhdimisht ankesa nga qytetarët për disa drejtues vendorë që, sipas tij, lënë detyrën dhe komunitetin për të kaluar kohë në kryeqytet.

Kreu i qeverisë u shpreh se kjo praktikë duhet të marrë fund, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon, në të ardhmen do të bëjë publikë edhe emrat e kryebashkiakëve që nuk respektojnë detyrimet ndaj qytetarëve.

“Janë bërë pak problem për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Kjo praktikë duhet të marrë fund”, deklaroi Rama.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për të gjithë kryebashkiakët, por për disa raste konkrete, kryesisht në zonën juglindore të vendit, në aksin Tiranë–Korçë, për të cilat qytetarët kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi.

Kryeministri solli si shembull ministrin e Pushtetit Vendor, i cili sipas tij, edhe pse e ka familjen në Tiranë, ka shërbyer për vite me radhë jashtë kryeqytetit pa braktisur detyrën.

“Ky është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa kryetarë bashkish që sot nuk dua t’i përmend me emra, por herën tjetër do të duhet t’i përmend publikisht”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të qartë se kritikat nuk kishin të bënin me të gjithë drejtuesit vendorë socialistë, duke përjashtuar publikisht kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo, si dhe ministrin përgjegjës për pushtetin vendor.

Ai theksoi se shqetësimet lidhen me raste të veçanta dhe jo me të gjithë përfaqësuesit e Partisë Socialiste në pushtetin lokal.

Në fund të deklaratës, Rama përdori edhe një ton ironik, por me një mesazh të qartë paralajmërues për kryebashkiakët që sipas tij nuk po i përgjigjen siç duhet detyrës.

“Po e mbyll me një buzëqeshje të ëmbël dhe mos u ktheftë në një buzëqeshje të hidhur për asnjërin”, u shpreh kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur mazhoranca po zhvillon një seri takimesh me drejtuesit vendorë dhe strukturat politike në qarqe, ndërsa qeveria përballet me kritika dhe presion politik në rritje.

Prej afro një muaji, mijëra qytetarë mblidhen çdo ditë në Tiranë në protesta ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe ndryshime të thella në drejtimin politik të vendit.

Në këtë klimë politike, paralajmërimi i Ramës ndaj kryebashkiakëve shihet si një mesazh për rritjen e angazhimit në terren dhe forcimin e lidhjes së pushtetit vendor me komunitetet që përfaqësojnë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat