Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua këtë të enjte seanca e gjykimit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi, e shoqëruar me debate të forta mes mbrojtjes, SPAK-ut dhe trupit gjykues.
Monika Kryemadhi mbërriti në ambjentet e gjykatës e veshur me një bluzë me mbishkrimin “Është një ditë e mrekullueshme”, ndërsa gjatë seancës ngriti një sërë pretendimesh për shkelje procedurale, duke kërkuar që një pjesë e provave të mos përdoren në proces.
Në fillim të seancës, ajo i kërkoi gjykatës që SPAK t’i vinte në dispozicion procesverbalet e ekspertimit të telefonit të sekuestruar, duke pretenduar se këto dokumente mungojnë në fashikull.
“Zoti gjyqtar, para se të filloj me parashtrimet e mia, do të doja që SPAK të më vinte në dispozicion procesverbalet e ekspertimit të telefonit, sepse në fashikull nuk ndodhen. Palët janë të barabarta në gjykim dhe këtë e kemi kërkuar në të gjitha seancat. Më është mohuar e drejta për të qenë e barabartë në proces dhe për t’u mbrojtur”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo shtoi se mbrojtja nuk ka pasur në dispozicion as ekspertizën financiare në kohën e duhur.
“Na është dhënë vetëm në muajin gusht. Për të pasur një proces të rregullt duhet të kemi të gjitha provat. Nuk mund të na jepet sot një provë e nesër një tjetër, të nxjerra jashtë kontekstit”, u shpreh ajo.
Gjyqtari e pyeti nëse kishte firmosur procesverbalin e marrjes së akteve, ndërsa Kryemadhi sqaroi se kishte marrë gjashtë disqe, por jo dokumentacionin shoqërues.
“Në diskun e tretë ka katër skedarë që nuk hapen. Dua të di me çfarë vendimi është ekspertuar ky telefon. Nuk ekziston asnjë dokument që të tregojë cili ekspert e ka kryer ekspertimin dhe në çfarë date. E gjithë akuza ndërtohet mbi këto mesazhe dhe për këtë arsye më duhet ky dokument”, tha ajo.
Nga ana e tij, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, deklaroi se aktet e ekspertimit dhe procesverbalet ndodhen në fashikujt e çështjes dhe janë vënë në dispozicion të gjykatës.
“Të gjitha aktet e ekspertimit të telefonave të sekuestruar ndodhen në fashikullin 62, ndërsa procesverbalet e këqyrjes janë në fashikullin 63. Janë dy procesverbale, një i plotë dhe një i pjesshëm”, tha prokurori.
I pyetur për telefonin në fjalë, Kllapi sqaroi se bëhej fjalë për një iPhone të gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit.
“Ne nuk e dimë nëse ky telefon ka qenë apo jo në përdorim të zonjës Kryemadhi, pasi është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit”, deklaroi ai.
Avokati i Kryemadhit kundërshtoi procedurën, duke pretenduar se mbrojtja nuk ishte njoftuar për kryerjen e ekspertimit.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me një akt procedural, organi i akuzës duhej të na kishte njoftuar. Nuk na është dhënë mundësia të jemi të pranishëm dhe edhe sot ka prova që nuk na janë vënë në dispozicion”, u shpreh ai.
Kryemadhi kërkoi gjithashtu që të shpallen të papërdorshme tabulatet dhe të dhënat e nxjerra nga telefoni i saj celular, duke pretenduar se sekuestrimi është kryer në kundërshtim me ligjin.
“Celulari është sekuestruar në mënyrë të paligjshme. Në atë periudhë kam qenë deputete dhe marrja e një prove në mënyrë të paligjshme e bën atë të papërdorshme”, deklaroi ajo.
Sipas Kryemadhit, edhe pse u kishte bërë me dije agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit se telefoni ishte i saj, ai u sekuestrua gjithsesi.
“Organi i akuzës nuk duhej të vinte për kontroll në banesën time, pasi unë isha deputete. Ata e dinin që jetonim në të njëjtën banesë dhe se ishte kontrolluar dhoma ime e gjumit, pavarësisht se banesa ishte në emër të Fatime Kryemadhit”, tha ajo.
Në fund të deklarimeve, Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar hetimin “seksist” dhe selektiv.
“Akuza është shumë seksiste, sepse për çdo veprim timin, politik apo njerëzor, më ka vendosur në pozitën sikur unë të kem qenë shërbëtore. Më lidhin me çështjen e Adrian Shatkut, ndërkohë që unë kam zero komunikime me Ilir Metën për këtë çështje. Ilir Meta gjithashtu ka zero komunikime për Shatkun, ndërsa Edi Rama ka dhënë dy leje për Ardian Shatkun. Pse nuk është pyetur Rama? Pse nuk është thirrur Taulant Balla si dëshmitar për të na ballafaquar? Unë kam qenë një person i pavarur dhe do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore”, deklaroi Kryemadhi para gjykatës.
Seanca u përqendrua kryesisht në kundërshtimet e mbrojtjes ndaj provave të administruara nga SPAK dhe në kërkesat për përjashtimin e një pjese të tyre nga procesi gjyqësor.



