KreuAktualitetPolitikaPërçarje në PD për bojkotin e seancave/ Disa deputetë dalin kundër Berishës

Përçarje në PD për bojkotin e seancave/ Disa deputetë dalin kundër Berishës

Vendimi i Partisë Demokratike për të bojkotuar seancat plenare ka shkaktuar debate brenda grupit parlamentar të opozitës, pasi disa deputetë kanë kundërshtuar mungesën në Kuvend, duke argumentuar se kjo i heq opozitës hapësirën kryesore për të artikuluar qëndrimet e saj.

Pas deklaratës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili la të kuptohet se do të diskutohej në parti qëndrimi ndaj pjesëmarrjes në seancat plenare, demokratët vendosën të mos jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të hënën.

Megjithatë, jo të gjithë deputetët e grupit parlamentar kanë qenë dakord me këtë qasje. Jorida Tabaku, Bujar Leskaj, Ina Zhupa dhe deputetë të tjerë kanë shprehur rezerva, duke vlerësuar se bojkoti i seancave i privon opozitës mundësinë më të rëndësishme për debat publik dhe përballje politike.

Deputetja Ina Zhupa ka argumentuar se mungesa në Parlament dobëson rolin e opozitës.

“Në çdo rast unë mendoj që mospjesëmarrja na heq ne të vetmen platformë publike që ne kemi për debat. E kemi provuar shumë herë mosshkuarjen dhe i dimë pasojat. Ne duhet të përdorim çdo hapësirë që kemi për përballje”, është shprehur Zhupa.

Edhe deputeti Bujar Leskaj ka kundërshtuar bojkotin, duke theksuar se qëndrimi i opozitës duhet të shprehet brenda sallës së Kuvendit.

“Në mbledhjen e kaluar të gjithë që diskutuam ishim kundër mosshkuarjes në seancë, por atë ditë u bë vonë dhe nuk kishte zgjidhje tjetër për atë seancë. Me idenë që ligjet tona nuk futen prej 13 vitesh, nuk shkon, sepse nesër nuk ka ligje fare në rendin e ditës”, ka deklaruar Leskaj.

Sipas tij, seancat plenare janë një mundësi për të trajtuar çështjet e zgjedhësve, rezolutat dhe problematikat e institucioneve.

“Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet, me rëndësi për denoncime dhe qëndrime. Kështu i bie që në shtator të shkojmë në seancë dhe nuk e di çfarë të mire na sjell si opozitë parlamentare”, ka argumentuar deputeti demokrat.

Debati mësohet se është zhvilluar në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, por më pas ka vijuar edhe në grupin e komunikimit të deputetëve të PD-së.

Bojkoti i Kuvendit nuk është një strategji e re për Partinë Demokratike, pasi është përdorur disa herë në të kaluarën. Megjithatë, edhe në periudhat e bojkotit të seancave, deputetët demokratë kanë vijuar pjesëmarrjen në komisionet parlamentare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat