KreuAktualitetPolitikaRebelim në Këshillin Kombëtar të PD-së/ Kuçana sfidon Berishën, ndërpritet transmetimi

Rebelim në Këshillin Kombëtar të PD-së/ Kuçana sfidon Berishën, ndërpritet transmetimi

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me tensione dhe debate, duke sjellë ndërprerjen për disa momente të punimeve dhe të transmetimit live nga selia e PD-së.

Shkak për përplasjen u bë kërkesa e anëtares së Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana, e cila kërkoi që në rendin e ditës të përfshihej një rezolutë që, sipas saj, ishte depozituar 24 orë përpara mbledhjes, në përputhje me parashikimet e statutit të Partisë Demokratike.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar, Julia Emiri, i bëri me dije Kuçanës se mbledhja kishte një rend dite të miratuar dhe se dokumenti i paraqitur prej saj nuk mund të shqyrtohej gjatë kësaj seance.

Në debat ndërhyri edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili argumentoi se procedurat për paraqitjen e rezolutave përcaktohen nga statuti i partisë dhe se kërkesa duhet të ndiqte rregullat përkatëse.

“Ne nuk mund ta shkruajmë statutin këtu”, mësohet t’i jetë drejtuar Berisha Kuçanës gjatë replikës mes tyre.

Nga ana e saj, Kuçana vijoi të kundërshtonte qëndrimin e drejtuesve të partisë, duke këmbëngulur se kërkesa e saj ishte në përputhje me statutin. Në atë moment ajo nuk kishte mikrofon, ndaj reagimet e saj nuk u dëgjuan në transmetimin publik.

Pak sekonda më pas, sinjali i transmetimit live nga selia e Partisë Demokratike u ndërpre, ndërsa mbledhja u pezullua përkohësisht.

Përplasja vjen në një moment kur brenda Partisë Demokratike vijojnë diskutimet mbi funksionimin e strukturave drejtuese dhe zbatimin e procedurave statutore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat