Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka deklaruar se nuk ekzistojnë raporte ndërkombëtare që tregojnë një dobësim të punës së SPAK në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho u shpreh se hetimet ndaj zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe verifikimi i pasurive të tyre kryhen sipas ligjit dhe metodologjisë së miratuar.
“Nuk dimë një raport ndërkombëtar që të thotë se puna e SPAK në lidhje me korrupsionin ka rënë. Në çdo hetim, hetuesit duhet të verifikojnë pasuritë që lidhen me produktin e veprës penale apo aktivitetin e paligjshëm”, deklaroi Braho.
Duke folur për publikimin e informacioneve nga dosjet hetimore në media, kreu i SPAK theksoi se nxjerrja e të dhënave konfidenciale përbën përgjegjësi penale për personat që i publikojnë.
“Çdo person që nxjerr informacione nga dosjet mban përgjegjësi penale. Gjatë periudhës që unë drejtoj SPAK nuk kemi pasur raste të tilla, megjithëse ka pasur raste në të kaluarën”, tha ai.
Gjatë seancës, deputeti Klevis Balliu e pyeti Braho edhe për deklaratat kritike të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK. Kreu i Prokurorisë së Posaçme i cilësoi ato pjesë të debatit politik, duke theksuar se institucioni duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji.
“Deklaratat politike janë retorikë politike. Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK nuk është i pëlqyeshëm nga asnjë krah, sepse kjo tregon se po bën punën e vet”, u shpreh Braho.
Sa i takon pyetjeve se përse kryeministri Edi Rama nuk është thirrur në SPAK për çështje të caktuara, Braho sqaroi se vendimet për thirrjen e personave merren vetëm mbi bazën e nevojave të hetimit dhe jo nga presioni apo pritshmëritë publike.
“Thirrja e një personi në SPAK nuk bëhet mbi bazën e pritshmërive politike apo publike. Nëse ka prova, askush nuk është imun ndaj hetimit”, përfundoi kreu i SPAK.



