KreuDrejtësiaGJKKO ndryshon “lojën” brenda sallave të gjyqit/ Nga 1 shtatori, regjistrimet dhe...

GJKKO ndryshon “lojën” brenda sallave të gjyqit/ Nga 1 shtatori, regjistrimet dhe telefonat nën kontroll

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar një rregullore të re të brendshme për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe sjelljen në ambientet e institucionit.

Rregullorja është miratuar me vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, dhe do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026. Sipas GJKKO-së, qëllimi i saj është forcimi i standardeve të sigurisë, administrimi i kontrolluar i aksesit dhe garantimi i zhvillimit normal të proceseve gjyqësore.

Në dokument përcaktohen rregulla të reja për hyrjen në ambientet e gjykatës, identifikimin e personave, zonat me nivele të ndryshme sigurie, si dhe procedurat që do të ndiqen nga qytetarët, profesionistët e drejtësisë dhe përfaqësuesit e medias.

Një pjesë e rëndësishme e rregullores lidhet me marrëdhëniet me median. GJKKO sqaron se sistemi i akreditimit dhe administrimit të aksesit nuk do të bazohet në përmbajtjen editoriale të mediave, por në kritere objektive që lidhen me kapacitetin e sallave, kërkesat e sigurisë dhe zhvillimin e rregullt të seancave.

Rregullorja parashikon gjithashtu kufizime për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike në sallat e gjyqit. Përdorimi i tyre nuk do të lejohet, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht për nevoja procedurale apo institucionale.

Sa i përket fotografimit, regjistrimeve audio-video dhe transmetimeve nga ambientet e gjykatës, GJKKO bën me dije se ato do të lejohen vetëm në raste të autorizuara, duke synuar balancimin mes transparencës së procesit gjyqësor dhe mbrojtjes së sigurisë, privatësisë dhe të drejtave të pjesëmarrësve në proces.

Gjykata thekson se rregullorja nuk synon kufizimin e transparencës, por krijimin e një kuadri të qartë për funksionimin e sigurt dhe të rregullt të institucionit. Sipas saj, siguria dhe transparenca janë elemente që plotësojnë njëra-tjetrën dhe kontribuojnë në rritjen e besimit të publikut te drejtësia.

Me hyrjen në fuqi të rregullores, GJKKO do të rishikojë procedurat ekzistuese për hyrjen në ambientet e saj, autorizimet dhe lejet e aksesit, me qëllim përshtatjen me standardet e reja.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat