KreuAktualitetKronikëNdërtimi pa leje në Himarë/ Tavo “shkrin” IMT-në

Ndërtimi pa leje në Himarë/ Tavo “shkrin” IMT-në

Një ndërtim pa leje në Himarë ka sjellë masa ndaj disa prej punonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe pronari i objektit.

Policia e Himarës njofton se gjatë kontrolleve në terren ka konstatuar një objekt 5-katësh, njëri prej kateve nën tokë, që po ndërtohej pa leje në vendin e quajtur “Sugë”.

Për këtë rast është arrestuar në flagrancë pronari i objektit, 39-vjeçari me inicialet L. B., banues në Tiranë.

Por hetimi nuk është ndalur vetëm te ndërtuesi. Policia ka shpallur në kërkim tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Në kërkim janë shpallur kryeinspektori D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, si dhe dy inspektorët M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas Policisë, dyshimet lidhen me përgjegjësitë e tyre në raport me ndërtimin pa leje, ndërsa vijojnë veprimet për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale.

Rasti ka sjellë ndërkohë edhe reagimin e kryebashkiakut të Himarës, Vangjel Tavo. Sipas të dhënave të bëra publike, Tavo ka marrë masa ndaj strukturës së IMT-së dhe ka vendosur shkarkimin e gjashtë punonjësve, ndërsa çështja është referuar në Prokurori.

Dyshimet paraprake lidhen me faktin se ndërtimi ka vijuar pavarësisht mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Nuk është hera e parë që drejtuesi i Bashkisë Himarë merr masa ndaj strukturës së kontrollit të territorit.

Më 9 qershor 2025, Tavo pezulloi drejtuesin dhe punonjësit e IMT-së së Himarës, pasi në zonat e Dhërmiut, Drimadhës dhe Jalës ishin evidentuar disa ndërtime pa leje.

Në atë periudhë, IKMT ndërhyri në terren dhe shembi disa objekte në Jalë, ndërsa aksioni vijoi edhe në Dhërmi. Po ashtu, pati raportime për procedime të lidhura me dyshime për shpërdorim detyre nga punonjës të strukturës.

Rasti i fundit rikthen edhe një herë në qendër të vëmendjes kontrollin e ndërtimeve në Himarë, një prej zonave më të kërkuara turistike në vend, ku gjatë viteve të fundit ndërtimet pa leje kanë qenë vazhdimisht objekt i kontrolleve dhe ndërhyrjeve të institucioneve.

Policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet në terren do të vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat