Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka ngritur shqetësimin për vijimin në detyrë të Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, mandati i të cilit, sipas kuadrit ligjor të miratuar në vitin 2020, duhej të kishte përfunduar në tetor të vitit 2024.
Në një reagim të publikuar nga instituti, thuhet se në tetor 2020, pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Kuvendi krijoi funksionin e “Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”. Ky post u përcaktua me një mision të posaçëm, kryesisht për monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të teknologjisë për identifikimin elektronik, si dhe për rekrutimin dhe trajnimin e zyrtarëve zgjedhorë.
Sipas ISP-së, zgjedhja e këtij zyrtari u bë përmes një kompromisi politik dhe me propozim të opozitës, ndërsa mandati u përcaktua katërvjeçar, nga tetori 2020 deri në tetor 2024.
Por, sipas institutit, edhe pse kanë kaluar rreth dy vite nga përfundimi i mandatit, zyrtari vijon të jetë në detyrë.
“Po shkojmë në tetor 2026, rreth dy vjet më vonë dhe ende zyrtari i zgjedhur në vitin 2020 dhe që duhej të kishte përfunduar mandatin në vitin 2024 vijon të jetë në funksion”, thuhet në reagimin e ISP-së.
Instituti argumenton se edhe vetë proceset për të cilat u krijua kjo strukturë nuk kanë pësuar ndryshime thelbësore që nga viti 2020. Identifikimi elektronik vijon të përdoret në formatin aktual, ndërsa Shqipëria nuk ka kaluar në votim elektronik në të gjithë territorin. Po ashtu, edhe rekrutimi dhe administrimi i zyrtarëve zgjedhorë vijon sipas të njëjtës formulë.
Për ISP-në, kjo situatë lidhet edhe me mungesën e një reforme zgjedhore që nga viti 2020 dhe me vazhdimin e të njëjtës mazhorancë në drejtimin e vendit.
Instituti thekson se reagimi i tij nuk ka për qëllim të jetë një kritikë personale ndaj zyrtarit që vijon të ushtrojë detyrën.
“ISP nuk e bën këtë shënim nominalisht për personin që ushtron detyrën dhe vijon të paguhet nga taksat tona edhe dy vjet pas përfundimit të mandatit”, thuhet në reagim.
Sipas institutit, problemi qëndron te mënyra se si Parlamenti dhe aktorët politikë trajtojnë mandatet dhe funksionimin e institucioneve, duke e konsideruar këtë rast si një shembull të mënyrës sesi ligji mund të mbetet në plan të dytë përballë praktikave politike.
ISP argumenton se standardet e integritetit duhet të vlejnë njësoj për të gjitha institucionet dhe funksionarët publikë.
“Standardet e integritetit vlejnë për parlamentin, për deputetët, për partitë parlamentare, për institucionet e pavarura, për zyrtarët e zgjedhur dhe emëruar”, thekson instituti.
Në fund, ISP e lidh çështjen jo vetëm me mandatin e një zyrtari, por me standardet e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Sipas institutit, respektimi i mandateve dhe i rregullave ligjore është pjesë e drejtpërdrejtë e cilësisë së demokracisë dhe e besimit te institucionet publike.



