Një objekt 5-katësh pa leje u ngrit në Himarë dhe përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së IKMT-së, por tashmë hetimi nuk ndalet vetëm te ndërtuesi. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur të zbardhë përgjegjësitë edhe brenda strukturave të Policisë së Shtetit, duke vënë nën hetim katër punonjës të Komisariatit të Himarës.
Dy prej tyre janë ndaluar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim për “Shpërdorim të detyrës”.
Në fokus të hetimit është mënyra se si një ndërtim i përmasave të tilla është lejuar të vijojë pa leje dhe çfarë kanë bërë, apo nuk kanë bërë, punonjësit e policisë që kishin detyrimin institucional për të ndërhyrë.
AMP ka ndaluar Emiljano Prengën, aktualisht Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më parë ka mbajtur të njëjtën detyrë në Komisariatin e Himarës.
I ndaluar është edhe Klodian Petani, aktualisht Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, i cili më herët ka shërbyer në të njëjtën detyrë në Himarë.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Ferit Merkaj, aktualisht Shef i Seksionit të Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe ish-Shef i Komisariatit të Himarës, si dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.
Sipas AMP-së, dy prej punonjësve të shpallur fillimisht në kërkim janë paraqitur më pas dhe janë ndaluar me iniciativën e tyre. Dy të tjerët nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse, pavarësisht njoftimeve.
Hetimi po shkon kështu përtej vetë objektit të shembur. AMP thotë se në këtë rast është përfshirë zinxhiri komandues i strukturave policore të Komisariatit të Himarës, ndërsa përgjegjësitë po hetohen në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për “Shpërdorim të detyrës”.
Objekti u shemb nga IKMT, ndërsa poseduesi i tij u arrestua në flagrancë nga Policia e Shtetit. Tashmë pyetja që kërkon përgjigje nga hetimi është se si arriti një godinë 5-katëshe të ndërtohej pa leje, pa u ndaluar në kohë nga strukturat që duhet ta kishin konstatuar dhe goditur ndërtimin.
AMP njofton se hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit.



