KreuDrejtësiaIgli Tare sërish në dosjen e Ballukut/ SPAK kontrollon dy vila luksoze...

Igli Tare sërish në dosjen e Ballukut/ SPAK kontrollon dy vila luksoze në Palasë

Emri i ish-futbollistit të njohur Igli Tare shfaqet për herë të dytë në dosjen hetimore që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Pas marrjes nën hetim për pastrim parash dhe sekuestrimit të një vile në Dhërmi, e regjistruar në emër të Tares dhe e dyshuar nga SPAK si pasuri e fshehur e Ballukut, hetimet janë zgjeruar edhe në Palasë.

Burime të besuara bëjnë me dije se, me urdhër të gjyqtarit të posaçëm Erjon Çela, është ushtruar kontroll në dy vila luksoze në kompleksin “Green Coast”, në Palasë, të cilat rezultojnë në emër të Igli Tares, shkruan VNA.al.

Sipas të njëjtave burime, në kuadër të të njëjtit vendim gjyqësor është kontrolluar edhe shoqëria “Atelier 4”, si dhe zyra e një arkitekti me inicialet R.Xh., në Vlorë.

Dyshimi i hetuesve është se të paktën njëra prej vilave në Palasë mund të jetë pasuri e fshehur e Belinda Ballukut. Për këtë arsye, SPAK po kryqëzon të dhënat e mbledhura gjatë kontrolleve me dëshmitë e marra në kuadër të hetimit, si dhe me informacionet e siguruara nga këqyrja e telefonave celularë.

Hetimet po përqendrohen te mënyra e krijimit dhe regjistrimit të pasurive, si dhe te lidhjet e mundshme mes personave dhe kompanive të përfshira në transaksione.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Paralelisht, ajo po hetohet edhe për pastrim parash dhe korrupsion për periudhën kur drejtonte agjencinë Albcontrol.

Më herët, SPAK ka sekuestruar një vilë në Dhërmi, e cila rezulton në emër të Igli Tares dhe që organi i akuzës dyshon se mund të jetë në pronësi të tërthortë të Ballukut.

Kontrollet e fundit në Palasë tregojnë se hetimi për pasuritë e ish-zëvendëskryeministres është zgjeruar dhe tashmë po verifikohen edhe prona të tjera të lidhura me emrin e ish-futbollistit. Hetuesit pritet të përcaktojnë në vijim nëse vilat dhe pasuritë e tjera të kontrolluara kanë lidhje me Ballukun apo janë pasuri të ligjshme të Tares.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat