KreuAktualitetEkonomiaShifrat flasin për rritje, por qytetarët në varfëri/ Arben Malaj zbërthen realitetin...

Shifrat flasin për rritje, por qytetarët në varfëri/ Arben Malaj zbërthen realitetin pas numrave

Rritja ekonomike nuk do të thotë domosdoshmërisht se mirëqenia e qytetarëve po përmirësohet. Këtë debat sjell në vëmendje ekonomisti Arben Malaj, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ndalet te fenomeni që në SHBA është pagëzuar si “boomcession”.

Malaj ngre pyetjen se si është e mundur që ekonomia të shënojë rritje, ndërsa një pjesë e familjeve të ndihen gjithnjë e më të rënduara nga kostot e jetesës.

Duke iu referuar ekonomisë amerikane, ai thekson se, sipas treguesve tradicionalë, SHBA-ja nuk ndodhet në recesion. Ekonomia është rritur me 1.5% në tremujorin e fundit, ndërsa papunësia është në 4.1%.

Por, sipas Malajt, këto shifra nuk tregojnë të gjithë panoramën. Pagat reale kanë lëvizur pak, ndërsa çmimet, faturat e shërbimeve dhe kostot e strehimit vijojnë të rriten. Për këtë arsye, shumë qytetarë deklarojnë se ekonomikisht ndihen më keq se përpara pandemisë.

Malaj sjell në vëmendje edhe termin “boomcession”, të përdorur nga Matt Stoller, drejtor kërkimesh në Project for American Economic Liberties, për të përshkruar një ekonomi që në letër ecën mirë, por që nuk përkthehet domosdoshmërisht në mirëqenie për familjet.

Sipas këtij këndvështrimi, mund të kemi rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe të tregjeve financiare, ndërsa në të njëjtën kohë inflacioni ul fuqinë blerëse të pagave dhe kostot e përditshme rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet.

“Boomcession” dallon nga një recesion klasik pikërisht sepse treguesit kryesorë ekonomikë nuk japin sinjal alarmi. PBB-ja rritet, papunësia mbetet relativisht e ulët dhe, për këtë arsye, presioni për ndërhyrje nga politikëbërësit është më i vogël.

Por problemi, sipas këtij argumenti, qëndron te qytetarët që mbeten pas këtyre statistikave.

Malaj thekson se pagat që blejnë më pak, rritja e faturave dhe kostot e larta të jetesës mund të krijojnë një realitet ekonomik shumë të ndryshëm nga ai që tregojnë vetëm shifrat e rritjes.

Në këtë situatë, pyetja që shtrohet është nëse rritja ekonomike po përkthehet realisht në përmirësim të jetës së qytetarëve apo nëse një pjesë e shoqërisë po mbetet jashtë përfitimeve të saj.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i “boomcession”: ekonomia mund të duket se po ecën mirë në statistika, ndërsa familjet vazhdojnë të ndihen ekonomikisht nën presion.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat