Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zhvilluar kontrolle në disa banesa dhe ambiente, në kuadër të një hetimi që lidhet me pretendimet për trafik armësh dhe procedurat e tenderimit në sektorin e mbrojtjes.
Sipas raportimeve mediatike, kontrolle janë ushtruar në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, në periferi të Tiranës. Kontrollet janë kryer edhe në banesën e Ardi Veliut, drejtorit të KAYO-s, si dhe në banesën e Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK.
Në të njëjtën kohë, agjentët kanë ushtruar kontrolle edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas raportimeve, janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktikat dhe procedurat e tenderëve.
Veprimet hetimore lidhen me akuzat dhe materialet e bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka pretenduar se në Shqipëri mund të jetë zhvilluar një skemë e trafikimit të armëve.
“Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën… Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, ka deklaruar Ahmetaj.
Në qendër të pretendimeve të ish-zëvendëskryeministrit është edhe një material përgjimi rreth tre orësh, i regjistruar në Monako, ku një prej personave të përmendur është Ron Yeffet.
Sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, në biseda diskutohen kompani, tenderë dhe pajisje ushtarake, si dhe marrëdhënie me institucione shqiptare dhe institucione të vendeve të tjera.
Ahmetaj ka pretenduar gjithashtu se në një prej pjesëve të përgjimit diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen procedurat konkurruese të tenderëve përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.
Trafiku i armëve dhe KAYO/ BKH kontrolle në Ministrinë e Mbrojtjes dhe te Ron Yefet



