Shqipëria ka në dispozicion një paketë prej 922.1 milionë eurosh nga Bashkimi Europian në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Por deri në maj të këtij viti, nga kjo shumë janë disbursuar 212.8 milionë euro.
Shifra është e konsiderueshme, por pas saj lind një pyetje që prek drejtpërdrejt transparencën e fondeve europiane. Ku po shkojnë konkretisht këto para, cilat projekte po financohen dhe kush kontrollon përdorimin e tyre?
Komisioni Europian nuk i jep fondet pa kushte. Pagesat lidhen me përmbushjen e reformave të përcaktuara në agjendën shqiptare. Në maj 2026, për shembull, Komisioni miratoi një tjetër disbursim prej 49 milionë eurosh, pasi vlerësoi përmbushjen e masave në fusha si përmirësimi i klimës së biznesit, investimet, inovacioni dhe aksesi në financim.
Por një pjesë tjetër e rëndësishme e mekanizmit lidhet me investimet konkrete përmes Western Balkans Investment Framework (WBIF).
Nga fondet europiane te projektet konkrete
Dokumentet e WBIF tregojnë se në Shqipëri janë financuar ose janë në proces një sërë projektesh në transport, energji dhe infrastrukturë digjitale.
Një prej tyre është projekti për zgjerimin e infrastrukturës broadband, për të cilin është parashikuar një kontribut prej 36.1 milionë eurosh nga WBIF, ndërsa investimi total i projektit vlerësohet në 110.6 milionë euro. Projekti parashikon rreth 7 mijë kilometra fibër optike në tetë qarqe, me synim lidhjen me internet broadband të më shumë se 74 mijë familjeve dhe 858 institucioneve publike.
Një tjetër projekt është elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë, ku WBIF ka parashikuar 13.2 milionë euro dhe investimi total vlerësohet në 25.1 milionë euro. Projekti përfshin rreth 42.1 kilometra linjë hekurudhore, përfshirë lidhjen me aeroportin.
Ndërkohë, rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i lidhjes me Rinasin ka një financim të kombinuar prej mbi 144 milionë eurosh. Në këtë projekt përfshihen kredi nga BERZH, kontribut kombëtar dhe grante të WBIF. Vetëm grantet e listuara në projekt arrijnë në rreth 39 milionë euro.
Kush i administron fondet?
WBIF është platforma qe bashkon Komisionin Europian, institucionet financiare ndërkombëtare, vendet donatore dhe vendet përfituese. Projektet zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
Në projektet hekurudhore në Shqipëri figurojnë institucione si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Hekurudha Shqiptare, ndërsa financimi kombinohet me grante dhe kredi të institucioneve europiane.
Mekanizmi europian parashikon kontrolle dhe kushte të përcaktuara për disbursimin. Komisioni Europian vlerëson nëse Shqipëria ka përmbushur hapat e kërkuar përpara se të autorizojë pagesat. Nëse një përfitues nuk përmbush kushtet, Komisioni mund të reduktojë fondet ose t’i rishpërndajë ato.
Por ekzistenca e mekanizmave të kontrollit nuk e mbyll automatikisht pyetjen për transparencën në nivel projekti.
Ajo që mbetet për t’u verifikuar është sa i detajuar është kontrolli pasi fondet kalojnë në fazën e zbatimit të projekteve: cilat kompani fitojnë kontratat, nëse ka ndryshime në vlerën e tyre, sa zgjaten afatet, nëse ka procedura të anuluara apo të përsëritura dhe nëse auditimet kanë evidentuar probleme.
Një paketë prej 922 milionë eurosh, por gjurma duhet ndjekur deri te kontrata
Në dokumentet e BE-së, fondet lidhen me reforma në një numër të gjerë fushash Nga biznesi dhe investimet te transformimi digjital dhe i gjelbër, arsimi, energjia, siguria kibernetike, shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.
Ndërkohë, për investimet infrastrukturore, WBIF ka një portofol të gjerë projektesh në Shqipëri, përfshirë hekurudhat, energjinë dhe infrastrukturën digjitale. Vetëm portofoli i WBIF në Shqipëri përfshin investime me vlerë shumë më të madhe se kontributet direkte të BE-së, pasi fondet europiane përdoren edhe për të mobilizuar kredi dhe financime të tjera.
Prandaj, pyetja kryesore nuk është nëse ekziston kontrolli europian. Ai ekziston. Por, a mund të gjurmojë qytetari shqiptar çdo euro nga fondi europian deri te projekti, kontrata dhe kompania që e përfiton?
Nga 922.1 milionë eurot e parashikuara, Shqipëria ka marrë deri tani 212.8 milionë euro. Tashmë, sfida për transparencën është të bëhet e qartë jo vetëm se cilat reforma janë përmbushur për të marrë paratë, por edhe çfarë është blerë, ndërtuar apo financuar me to dhe kush ka përfituar nga kontratat. / E Vërteta.al



