KreuOpinion dhe AnalizëKur shteti bëhet seli partie/ Ku mbaron PS-ja dhe ku fillon shteti?

Kur shteti bëhet seli partie/ Ku mbaron PS-ja dhe ku fillon shteti?

Nga Dhurata Çupi

Abuzimi me shtetin nuk fillon gjithmonë me vendime të mëdha, fillon kur zhduket kufiri mes partisë dhe shtetit.

Në Pallatin e Brigadave zhvillohen mbledhje të Partisë Socialiste. Në godinat e Shërbimeve Qeveritare, po ashtu, mbledhje të Partisë Socialiste.

Ndërkohë, mbledhjet e vetë qeverisë zhvillohen gjithnjë e më shpesh jashtë godinës së saj, aq sa ajo që dikur mund të ishte përjashtim, sot është kthyer në një normë të pashkruar.

Pyetja është e thjeshtë, a do t’i viheshin këto godina në dispozicion, me të njëjtën lehtësi, një partie tjetër politike? Besoj se përgjigjja dihet.

Kur opozita zhvillon aktivitetet e saj në Pallatin e Kongreseve, paguan faturën. Dhe kështu duhet të jetë. Partitë politike duhet të paguajnë për aktivitetin e tyre politik, jo ta zhvillojnë atë duke trajtuar pronën dhe infrastrukturën shtetërore sikur të ishte pronë e partisë në pushtet.

Mund të duken elemente të vogla, madje të parëndësishme. Por pikërisht këtu fillon abuzimi shtetëror, kur humbet kufiri mes shtetit dhe partisë, mes asaj që është publike dhe asaj që është partiake.

Kur këto kufij shkelen vazhdimisht dhe askush nuk kërkon më llogari, abuzimi pushon së perceptuari si abuzim dhe fillon të konsiderohet normalitet.

Shteti nuk është pronë e partisë që qeveris. Godinat shtetërore nuk janë seli partie. Dhe pushteti i përkohshëm nuk të jep të drejtën ta trajtosh pasurinë publike si pronë politike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat