Analisti Afrim Krasniqi ka reaguar në rrjetet sociale për mbledhjen e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste, të thirrur nga kryeministri Edi Rama në Pogradec.
Krasniqi shkruan se mbledhja është e drejtë e kryeministrit dhe e drejtuesve të partisë, por sipas tij, ajo vjen si përgjigje ndaj protestave të zhvilluara së fundmi.
“Protestat nuk kanë kërkesë sesi të mbetet PS në pushtet, por sesi të bëhet Shqipëria një demokraci funksionale e shtet i së drejtës”, shprehet Krasniqi.
Ai ngre disa pikëpyetje mbi mënyrën se si është zhvilluar mbledhja dhe mbi raportin mes partisë dhe institucioneve shtetërore.
Krasniqi ndalet fillimisht te vendi i takimit dhe kostot e organizimit. Ai pyet se kush ka paguar për ambientet, shërbimet, personelin, automjetet dhe numrin e madh të efektivëve të Gardës.
Sipas tij, nëse aktiviteti është financuar nga Partia Socialiste, kjo duhet të bëhet publike.
“PS duhej të deklaronte se është financuese e takimit, ndryshe, financimi nga qeveria përbën shkelje ligji”, shkruan ai.
Një tjetër pikë e ngritur nga Krasniqi lidhet me përdorimin e simboleve shtetërore në një aktivitet partiak.
“Një mbledhje partie nuk mund të ketë në tavolinë simbolin shtetëror të kryeministrisë”, shkruan ai, duke e cilësuar këtë si një keqpërdorim të simboleve shtetërore dhe një “njësim të shtetit me partinë”.
Krasniqi kritikon edhe deklaratat për reformim, transparencë dhe luftën kundër korrupsionit, duke thënë se këto duhet të shoqërohen me veprime konkrete.
Ai përmend në reagimin e tij edhe një zyrtare të akuzuar nga drejtësia dhe për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit, e cila, sipas tij, vijon të jetë pjesë e vendimmarrjes në ekzekutiv, parlament dhe parti.
Pjesën kryesore të kritikës së tij Krasniqi ia kushton administratës publike. Ai thotë se në mbledhjen e PS është diskutuar për shkarkimin apo lëvizjen e drejtorëve në administratë.
“Në një vend ku ka ligje dhe Kushtetutë dhe ku shteti është i ndarë nga partia nuk mundet kurrsesi një parti të vendosë shkarkime administrative. Në Shqipëri po”, shprehet Krasniqi.
Në fund, ai e lidh këtë mënyrë funksionimi me të kaluarën politike të vendit, duke kujtuar periudhën kur vendimet e partisë paraprinin vendimet e institucioneve shtetërore.
“Sot janë ministrat. Do japin llogari para partisë. Fillimisht partia pastaj ministrat”, shkruan Krasniqi, duke shtuar: “E kemi traditë, dikur mblidhej Byroja pastaj Plenumi dhe në fund qeveria e Presidiumi i Kuvendit.”



