KreuDrejtësiaDrejtësia e vonuar, biznes i bllokuar/ Sa kushtojnë vitet e pritjes në...

Drejtësia e vonuar, biznes i bllokuar/ Sa kushtojnë vitet e pritjes në gjykatë?

Nga kontratat e bllokuara te pronat e ngrira, një proces gjyqësor nuk i kushton biznesit vetëm tarifën e avokatit. Sa më gjatë që një çështje qëndron në gjykatë, aq më shumë kapital mbetet i bllokuar dhe aq më shumë rritet kostoja për kompaninë. Të dhënat europiane tregojnë se veçanërisht në shkallën e dytë, çështjet civile dhe tregtare vijojnë të përballen me vonesa të mëdha.

Kur një kompani shqiptare përfundon në gjykatë, problemi nuk është vetëm nëse do ta fitojë apo humbasë çështjen. Për biznesin, shpesh pyetja e parë është se sa do të presë deri sa të marrë një vendim përfundimtar?

Një kontratë mund të mbetet e pezulluar. Një pronë mund të mos përdoret. Një detyrim financiar mund të mos arkëtohet. Një investim mund të shtyhet. Ndërkohë, kompania vazhdon të paguajë punonjës, kredi, qira, taksa dhe shpenzime administrative.

Në fund, një proces gjyqësor i zgjatur mund të kthehet në një kosto ekonomike që shkon shumë përtej tarifës së gjykatës.

365 ditë në shkallën e parë, mbi 5 mijë ditë në shkallën e dytë

Të dhënat e Komisionit Europian dhe të CEPEJ japin një panoramë konkrete të situatës.

Në vitin 2024, për çështjet civile dhe tregtare në shkallën e parë, koha e disponimit ishte rreth 365 ditë, ndërsa norma e zgjidhjes së çështjeve u rrit në 105 për qind. Kjo do të thotë se gjykatat e shkallës së parë arritën të zgjidhnin më shumë çështje nga sa hynin gjatë vitit.

Situata bëhet shumë më problematike në shkallën e dytë.

Për çështjet civile dhe tregtare, në vitin 2024 norma e zgjidhjes ishte vetëm 42 për qind, ndërsa treguesi i kohës së disponimit arriti në 5.496 ditë. Ky është një tregues statistikor i ngarkesës dhe ritmit të sistemit dhe nuk duhet interpretuar sikur çdo proces individual zgjat 15 vjet, por ai tregon qartë presionin shumë të madh që ekziston në këtë nivel të gjyqësorit.

Pikërisht këtu nis problemi ekonomik. Një kompani që pret një vendim të formës së prerë nuk mund ta trajtojë gjithmonë kapitalin e lidhur me konfliktin si kapital të disponueshëm.

Çfarë humbet një biznes gjatë pritjes?

Një kompani qe ka një konflikt për një kontratë me vlerë 10 milionë lekë, për shkak të procesit gjyqësor, nuk arrin të përdorë kapitalin dhe nuk mund të realizojë një investim të planifikuar.

Nëse kompania do të kishte mundësi ta përdorte atë kapital për një aktivitet që do t’i sillte, një kthim vjetor prej 8 për qind, vetëm kostoja teorike e kapitalit do të ishte rreth 800 mijë lekë në vit.

Në tre vite, kjo shifër do të arrinte në rreth 2.4 milionë lekë, pa llogaritur kostot e avokatëve, ekspertizave, administrimit të çështjes, interesave të kredive apo mundësive të humbura të biznesit.

Një tjetër problem është pasuria.

Një kompani mund të ketë një konflikt për pronësinë e një trualli, një godine, një magazinë apo një aseti tjetër të rëndësishëm për aktivitetin. Nëse çështja nuk zgjidhet për vite, prona mund të mos mund të përdoret për projektin për të cilin është blerë.

Por, problemi nuk lidhet vetëm me pronat. Një kompani mund të ketë një kontratë me një partner tregtar dhe të përfundojë në gjykatë për mospërmbushje të detyrimeve. Nëse vendimi vonon, edhe arkëtimi i një detyrimi prej disa milionë lekësh mund të shtyhet për një periudhë të gjatë. Ndërkohë, biznesi duhet të financojë aktivitetin e tij nga burime të tjera. Nëse merr kredi për të mbuluar mungesën e likuiditetit, kostoja e konfliktit gjyqësor rritet edhe më tej.

Komisioni Europian ka evidentuar në raportin e tij për Shqipërinë se cilësia e drejtësisë vijon të përballet me probleme, ndër të tjera për shkak të numrit të vendeve vakante në gjyqësor, mungesës së stafit dhe mungesës së një sistemi modern të integruar elektronik për menaxhimin e çështjeve në gjykata dhe prokurori.

Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme për biznesin.

Një sistem modern elektronik nuk do të zgjidhte vetë problemin e vonesave gjyqësore. Por një menaxhim më i mirë i dosjeve, afateve, seancave dhe dokumenteve mund të ndihmojë në uljen e vonesave administrative dhe në rritjen e transparencës mbi ecurinë e çështjeve.

Komisioni Europian e ka lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë funksionimin e shtetit të së drejtës me klimën e biznesit, investimet dhe konkurrueshmërinë. Një sistem ligjor i parashikueshëm u jep kompanive më shumë siguri për të investuar dhe për të marrë vendime ekonomike./ E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat