KreuDrejtësiaKartoni i kuq nga Strasburgu për vettingun/ Shqipëria dënohet në çështjen Papandile

Kartoni i kuq nga Strasburgu për vettingun/ Shqipëria dënohet në çështjen Papandile

Një tjetër vendim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është zbatuar procesi i vettingut në Shqipëri.

GJEDNJ ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Papandile kundër Shqipërisë”, duke vlerësuar se kufizimi 15-vjeçar i vendosur ndaj Eugen Papandiles për ushtrimin e disa funksioneve të larta në sistemin e drejtësisë ishte joproporcional.

Vendimi është dhënë më 25 gusht 2026 dhe lidhet me procedurën e vettingut ndaj Papandiles, i cili kishte shërbyer si këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm i kësaj gjykate.

Papandile kishte dorëzuar deklaratën e vettingut në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procesin e vettingut ndaj tij.

Një vit më vonë, KPK vendosi të ndërpresë procedurën dhe t’i vendosë një ndalim 15-vjeçar për emërimin në një sërë funksionesh të larta në drejtësi, përfshirë atë të gjyqtarit, prokurorit, anëtarit të KLGJ-së apo KLP-së, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Vendimi u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në prill 2023.

GJEDNJ: Kufizimi ishte joproporcional

Sipas Gjykatës së Strasburgut, kalimi i Papandiles në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të konsiderohej në të njëjtën mënyrë si një largim nga sistemi i drejtësisë me synim shmangien e vettingut.

GJEDNJ vlerësoi se Papandile kishte vijuar karrierën e tij brenda të njëjtës Gjykatë Kushtetuese dhe kishte vazhduar të punonte në sistemin e drejtësisë.

Për këtë arsye, Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i mundësive të tij të ardhshme profesionale ndikonte drejtpërdrejt në karrierën dhe identitetin e tij profesional.

Strasburgu pranoi se qëllimi i ndalimit 15-vjeçar është legjitim, pasi synon të parandalojë shmangien e procesit të vettingut. Megjithatë, në rastin konkret, mënyra se si u zbatua ky kufizim u konsiderua joproporcionale.

“Ndërhyrja nuk është treguar se ka qenë proporcionale me qëllimet legjitime të ndjekura në rrethanat e çështjes”, thuhet në vendimin e GJEDNJ-së.

Rihapja e vettingut

Vendimi i Strasburgut nuk e heq automatikisht ndalimin 15-vjeçar të vendosur ndaj Papandiles. Megjithatë, Gjykata vlerëson se, nëse ai e kërkon, do të ishte e përshtatshme rihapja e procedurave të vettingut dhe rishqyrtimi i çështjes në përputhje me standardet e përcaktuara në vendim.

GJEDNJ ka marrë në konsideratë edhe faktin se strukturat e vettingut kanë përfunduar tashmë mandatet e tyre dhe se legjislacioni parashikon mënyrën se si trajtohen procedurat pas përfundimit të mandateve.

Shqipëria duhet të paguajë 3 mijë euro

Për shkeljen e nenit 8 të Konventës, Gjykata vendosi që shteti shqiptar t’i paguajë Eugen Papandiles 3 mijë euro për dëmin jopasuror, si dhe çdo taksë që mund të aplikohet.

Ndërkohë, kërkesa për rimbursimin e shpenzimeve dhe kostove të tjera gjyqësore nuk u pranua.

Vendimi i GJEDNJ-së është marrë unanimisht dhe është njoftuar më 25 gusht 2026.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat