KreuOpinion dhe AnalizëPër çdo hall, një portal

Për çdo hall, një portal

Lutfi Dervishi

Nga “Shqipëria që duam” te “Pasqyrë Albania”, qeveria ka ndryshuar vazhdimisht emrin e platformës, por këmbëngul se, kur qytetari është i pakënaqur, zgjidhja duhet kërkuar te komunikimi. Po sikur problemi të jetë qeveri(sj)a?
Në vitin 2017 u prezantua platforma e bashkëqeverisjes, “Shqipëria që duam”. Kryeministri këmbëngulte se ajo nuk ishte “një faqe më shumë në internet”, madje as portal, “larg qoftë!”, por një mekanizëm i ri që do t’i bënte njerëzit e zakonshëm pjesë të bashkëqeverisjes.
Bukur!
Një vit më pas, në 2018, platforma promovohej si vendi ku dëgjohej “zëri i qytetarit”. Më pas erdhi Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
Por pesë vjet më herët, në 2014, ekzistonte “Stop korrupsionit në drejtësi”, ku qytetarët ftoheshin të denonconin raste korruptive. Në shkurt 2015 u prezantua portali unik stopkorrupsionit.al, me premtimin se denoncimi do të ndiqej deri në nivelet më të larta të qeverisë. (Këto tashmë i gjen vetëm në arkivat e internetit)!
Po atë vit u lumturuam me Komisariatin Dixhital. Qytetari mund të dërgonte foto, video dhe tekst për korrupsion, paligjshmëri apo shkelje dhe të ndiqte reagimin e policisë. Brenda dhjetë javësh u raportuan rreth 14 mijë denoncime dhe aplikacioni u shpall “histori suksesi”.
Në 2024 erdhi “Deputeti që duam”, këtë herë për t’ia hapur dyert e politikës njerëzve dhe ideve të reja. Kur sheh se çfarë të rinjsh ka gjetur aplikacioni digjital – të merr malli për epokën analoge!
Por vetëm gjatë një muaji të kësaj vere kemi kaluar nga Besa, më 24 korrik, te Prania Besnike, më 30 korrik, dhe tani te Pasqyrë Albania, më 23 gusht.
“Pasqyrë Albania” premton që çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarit të gjurmohet në kohë reale, siç ndiqet një pako postare. Qeveria do të shohë institucionin përgjegjës, afatin dhe vonesën “me lupë”.
Ide shumë e bukur. Por çfarë nuk dimë sot që duhet të na e tregojë “Pasqyrë Albania”?
Nuk dimë se qytetarët protestojnë për koston e jetesës? Nuk dimë se me pagat dhe pensionet është bërë gjithnjë e më e vështirë të mbyllet muaji? Nuk dimë problemet e shëndetësisë, arsimit, pronave, administratës, transportit, trafikut, ujit, mbetjeve apo korrupsionit? Nuk dimë pse është forcuar leku? Nuk dimë pse është nafta e shtrenjtë? Nuk dimë se çfarë mendojnë qytetarët?
Kostoja e jetesës nuk është problem komunikimi. Çmimet nuk rriten sepse njerëzit nuk kanë gjetur portalin e duhur ku të ankohen. Ato lidhen me politikat ekonomike, konkurrencën, taksat, tregjet, kursin e këmbimit, strukturën e ekonomisë, ligjet e personalizuara, dhe vendimet e qeverisë.
Edhe korrupsioni nuk është problem komunikimi. Shqipëria nuk ka vuajtur këto vite nga mungesa e adresave ku mund të denoncohej korrupsioni. Përkundrazi, kemi pasur portal kundër korrupsionit, Komisariat Dixhital, Shqipërinë që Duam, Agjenci Bashkëqeverisjeje, adresa elektronike, aplikacione, formularë dhe numra telefoni.
Korrupsioni nuk luftohet vetëm duke marrë denoncimin apo duke thënë “kemi SPAK”. Luftohet duke mos e nxitur, duke mos e toleruar, duke mos mbrojtur, promovuar e dekoruar njerëzit e përfolur, të akuzuar apo të dënuar për të dhe, mbi të gjitha, duke ndëshkuar abuzimin.
Pakënaqësia në rritje e njerëzve po trajtohet si një defekt në komunikim: ne kemi punuar, kantieret gumëzhijnë, por nuk jua kemi shpjeguar mirë; institucionet funksionojnë, por qytetari nuk di ku të trokasë; problemet zgjidhen tak-fak, por nuk kemi portalin e duhur për t’i ndjekur.
Por një qeveri që është në pushtet që prej vitit 2013 nuk mund të sillet pafundësisht si dispeçeri ankesash.
Një sistem digjital ku qytetari gjurmon kërkesën e vet është i dobishëm, por teknologjia është mjet, jo politikë. Ajo mund të tregojë ku ndodhet halli, por nuk e zgjidh hallin.
Në fund të fundit, qeverisja nuk është call center. Nuk matet me numrin e ankesave të regjistruara, aplikacioneve të shkarkuara, portaleve të hapura, kreativitetin e emrave apo numrin e postimeve, like-ve dhe komenteve.
Ka disa pyetje shumë më të thjeshta: Kostoja e jetesës është rritur apo është ulur? Ka më shumë apo më pak banorë? Popullsia është plakur apo është rinuar? Shërbimet janë më të mira apo më të këqija? Me dy fjalë: njerëzit sot janë më mirë apo më keq?
Prandaj pyetja për “Pasqyrë Albania” nuk është nëse do të ketë “Flamingo”, “Radar”, lupë apo gjurmim në kohë reale. Pyetja është shumë më e vjetër dhe shumë më pak digjitale:
Pasi pasqyra të na tregojë atë që e dimë prej vitesh, çfarë do të bëjmë ndryshe?
Pas Stop Korrupsionit, Komisariatit Dixhital, Shqipërisë që Duam, Bashkëqeverisjes, Deputetit që Duam, Besës, Pranisë Besnike dhe tani
Pasqyrë Albania, vendit nuk i mungon një pasqyrë për t’ia treguar qeverisë problemet.
I mungojnë zgjidhjet për problemet që qeveria jo vetëm i di, por një pjesë të mirë të tyre i ka krijuar vetë.
spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat