KreuAktualitetPolitika“Bllako është këshilltar i Begajt”/ Berisha akuzon, Presidenca e përgënjeshtron

“Bllako është këshilltar i Begajt”/ Berisha akuzon, Presidenca e përgënjeshtron

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur sot akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi me atë që ai e cilësoi si një praktikë të mëparshme të negociimit të arrestimeve.

Gjatë një konference për mediat nga selia e PD-së, Berisha iu referua edhe rastit të ish-deputetit Alqi Bllako, duke pretenduar se pas daljes nga burgu ai është emëruar këshilltar i Presidentit Bajram Begaj.

Por ky pretendim u përgënjeshtrua menjëherë nga Presidenca.

“Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me pretendimin se zoti Alqi Bllako është këshilltar i Presidentit të Republikës, saktësojmë se zoti Alqi Bllako nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është këshilltar i Presidentit të Republikës dhe nuk ka asnjë marrëdhënie me këtë institucion”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Zyra e Shtypit e Presidentit ka theksuar se sqarimi është bërë për të shmangur çdo keqinformim lidhur me përbërjen e kabinetit presidencial.

Pavarësisht përgënjeshtrimit, Berisha e përdori rastin Bllako për të ngritur dyshime edhe mbi arrestimin e Ergys Agasit. Sipas tij, nëse arrestimi i biznesmenit ka qenë i negociuar, pas tij mund të ketë pasur një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama.

“Në rast se ky është një arrestim i negociuar, nuk ka diskutim që është një arrestim i negociuar nga Edi Rama”, deklaroi Berisha.

Ai e krahasoi situatën me çështjen e ish-ministrit Ilir Beqaj, duke pretenduar se persona të caktuar janë përballur me pasoja penale për episode të veçuara, ndërsa sipas tij çështje më të mëdha nuk janë hetuar në të njëjtën masë.

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin se përmes ndikimit të tij mbi SPAK-un mund të përsërisë një skenar të ngjashëm me atë që, sipas tij, ka ndodhur me Alqi Bllakon.

“Kush paguan më shumë, shkon më lart”, tha Berisha, duke vijuar akuzat e tij ndaj mënyrës se si funksionon sistemi i drejtësisë.

Por për rastin Bllako, Presidenca ka dhënë një përgjigje të prerë. “Ai nuk ka qenë dhe nuk është këshilltar i Presidentit dhe nuk ka marrëdhënie me institucionin”.

Alqi Bllako, ish-deputet i LSI-së dhe më pas i Partisë Socialiste, u dënua në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Gjykata e Posaçme e dënoi me 4 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj. Bllako e përfundoi vuajtjen e dënimit dhe la qelinë në nëntor të vitit të kaluar.

Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka hequr edhe të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Ndërkohë, pretendimi i Berishës se Bllako është aktualisht këshilltar i Presidentit është mohuar zyrtarisht nga Presidenca.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat