KreuAktualitetPolitikaBashkia Patos drejt shkrirjes?/ Qytetarët dalin sërish në rrugë

Bashkia Patos drejt shkrirjes?/ Qytetarët dalin sërish në rrugë

Për të tretën herë, qytetarët e Patosit kanë dalë në protestë kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.

Protestuesit kundërshtojnë ndryshimin e statusit të qytetit dhe kërkojnë që Patosi të vijojë të funksionojë si njësi administrative më vete. Sipas tyre, qyteti i plotëson kriteret për të pasur statusin e bashkisë dhe nuk ka arsye që të humbasë autonominë administrative.

Një nga argumentet kryesore të protestuesve lidhet me industrinë e naftës, e cila prej dekadash përbën një nga aktivitetet kryesore ekonomike të zonës dhe gjeneron të ardhura për qytetin.

Qytetarët shprehen gjithashtu të shqetësuar për pasojat që mund të ketë bashkimi me Fierin në marrjen e shërbimeve administrative. Ata thonë se largimi i shërbimeve nga Patosi do t’i detyronte banorët të udhëtonin drejt Fierit edhe për dokumente apo procedura që aktualisht i kryejnë pranë vendbanimit të tyre.

“Patosi ka historinë, ekonominë dhe të ardhurat e veta. Nuk është e drejtë që qytetarët të detyrohen të shkojnë në Fier për shërbime që sot i marrin këtu. Sidomos për të moshuarit kjo është një vështirësi e madhe”, u shpreh një prej protestuesve.

Banorët thonë se kundërshtimi i tyre nuk është thjesht një reagim ndaj ndryshimit të kufijve administrativë, por lidhet me mënyrën se si do të ofrohen shërbimet dhe si do të menaxhohen të ardhurat e zonës në të ardhmen.

Protestuesit paralajmërojnë se nuk do të ndalen me kaq dhe se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, në përpjekje për të kundërshtuar bashkimin e Patosit me Fierin.

Ata kërkojnë që zëri i qytetarëve të merret në konsideratë përpara çdo vendimmarrjeje për riorganizimin territorial dhe që Patosi të vijojë të ketë administratën dhe shërbimet e tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat