Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.
Shpataraku u përball sot me gjykatën, ndërsa mbrojtja kërkoi shpalljen e moskompetencës së GJKKO-së dhe një masë më të butë sigurie. Por kërkesat e avokatit nuk janë pranuar nga gjykata.
Gjatë seancës, ish-zyrtari policor ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij dhe është shprehur se nuk ka lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet.
Avokati i Shpatarakut ka paraqitur në gjykatë edhe fakte që, sipas mbrojtjes, përbëjnë rrethana lehtësuese dhe duhet të merren në konsideratë në përcaktimin e masës së sigurimit.
Shpataraku është arrestuar nën dyshimin për përkrahje të autorit të krimit, pasi dyshohet se ka shoqëruar Ergys Agasin, i cili u arrestua disa ditë më parë.
Ish-zyrtari ishte përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit disa javë më parë. Pas arrestimit të tij, kanë nisur edhe procedurat për heqjen e lejes së armës që ai e posedonte për shkak të funksionit.
Gjatë procedurave, autoritetet kanë sekuestruar edhe armët që Shpataraku mbante në banesën e tij.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë verifikimeve rezultoi se ish-polici kishte në banesë disa armë zjarri private, të cilat i mbante me leje.
Në kuadër të procedurave janë sekuestruar gjithsej shtatë armë, tre pistoleta, dy shotgunë dhe dy pushkë.
Vendimi i GJKKO-së për masën e sigurisë ndaj Shpatarakut nuk përbën një vendim përfundimtar mbi fajësinë e tij. Hetimet për rrethanat e çështjes vijojnë.



