Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Trepçës SH.A. dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që detyron ndërmarrjen të rikthejë Gëzim Mustafën në pozitën e Drejtorit të Flotacionit.
Vendimi i Apelit, i datës 6 korrik 2026, lidhet me kontestin gjyqësor mes Gëzim Mustafës dhe Trepçës SH.A., pas vendimit të ndërmarrjes për lirimin e tij nga pozita drejtuese dhe transferimin në një njësi tjetër.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e Trepçës nuk qëndrojnë dhe se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur drejt kur ka aprovuar kërkesëpadinë e Mustafës.
Apeli: Transferimi nuk ishte bërë sipas rregullave
Në shkallën e parë, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte anuluar vendimin nr. 5792, të 25 shtatorit 2024, të ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës SH.A.
Me atë vendim, Gëzim Mustafa ishte liruar nga detyra e Drejtorit të Flotacionit në njësinë e biznesit “Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg” dhe ishte transferuar në njësinë biznesore “Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”, në pozitën e inxhinierit të repartit në njësinë për përpunimin e xeheve.
Gjykata kishte anuluar edhe vendimin e Komisionit të Ankesave, përmes të cilit ishte refuzuar ankesa e Mustafës ndaj transferimit.
Çështja më pas kishte kaluar në Gjykatën e Apelit, pasi Trepça e kishte kundërshtuar vendimin e shkallës së parë, duke pretenduar se gjykata kishte bërë shkelje në vlerësimin e gjendjes faktike dhe në zbatimin e ligjit.
Apeli nuk i ka pranuar këto pretendime.
Sipas gjykatës, rregullat e brendshme të Trepçës parashikojnë që transferimi i një punonjësi nga një njësi biznesore në tjetrën duhet të bëhet me kërkesë të udhëheqësit të njësisë përkatëse dhe me miratimin e strukturës përgjegjëse.
Në rastin e Mustafës, gjykata ka konstatuar se një kërkesë e tillë nuk ishte bërë.
Arsyetimi për largimin, i pamjaftueshëm
Gjykata ka shqyrtuar edhe arsyetimin e përdorur nga Trepça për largimin e Mustafës nga pozita e drejtorit.
Në vendimin për transferim ishte përmendur nevoja për menaxhim më të mirë, ndërsa çështja ishte lidhur edhe me analizën e punës në Flotacionin “Tuneli i Parë” për vitin 2024.
Megjithatë, sipas Apelit, ndaj Mustafës nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore për të përcaktuar nëse kishte kryer ndonjë shkelje.
Gjykata ka marrë në konsideratë edhe provat e administruara gjatë procesit gjyqësor, nga të cilat, sipas aktgjykimit, performanca e Mustafës rezultonte e lartë.
Për këtë arsye, Apeli ka vlerësuar se vendimi për transferimin e tij nuk ishte në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe rregullat e brendshme të ndërmarrjes.
Trepça duhet ta rikthejë në pozitën e mëparshme
Me lënien në fuqi të aktgjykimit të shkallës së parë, Trepça është e detyruar që Gëzim Mustafën ta rikthejë në vendin e tij të mëparshëm të punës, si Drejtor i Flotacionit në njësinë e biznesit “Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg”, në përputhje me kontratën e punës të datës 31 korrik 2023.
Sipas vendimit, rikthimi duhet të bëhet brenda shtatë ditësh nga pranimi i aktgjykimit, me paralajmërimin për përmbarim të detyrueshëm në rast të moszbatimit.
Duhet të kompensohet edhe dëmi financiar
Përveç rikthimit në detyrën e mëparshme, Gjykata Themelore kishte detyruar Trepçën të kompensojë edhe dëmin financiar të shkaktuar nga ndryshimi i pozitës së punës.
Në aktgjykim përcaktohet shuma prej 544.34 eurosh, së bashku me kamatën ligjore prej 8 për qind, si dhe detyrimet që lidhen me kontributet pensionale dhe tatimin në burim.
Trepça është detyruar gjithashtu t’i paguajë Mustafës 544 euro për shpenzimet e procedurës gjyqësore.
Me vendimin e 6 korrikut 2026, Gjykata e Apelit ka konfirmuar në tërësi qëndrimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe ka refuzuar ankesën e Trepçës si të pabazuar.
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit mban numrin CA.nr.3602/2025.




