Makina e re me të cilën lëviz kryeministri Edi Rama nuk është blerë nga shteti, por është marrë me qira dhe faturën nuk do ta paguajë buxheti i shtetit.
Sqarimi është bërë pas mbledhjes së qeverisë, ku ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, u pyet për automjetin e ri të kryeministrit.
Sipas saj, makina përdoret si për aktivitetet zyrtare të Ramës, ashtu edhe për angazhimet e tij politike. Për këtë arsye, sipas ministres, pagesa e qirasë mbulohet nga Partia Socialiste.
“Makina e kryeministrit është me qira, paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste”, deklaroi Ismaili.
Por makina e re nuk është zgjedhur vetëm për shkak të luksit apo komoditetit. Ministrja e ka lidhur përdorimin e saj edhe me çështjen e sigurisë së kryeministrit, duke thënë se automjeti është përzgjedhur në përputhje me kërkesat e Gardës së Republikës.
S-Class-i i ri, mbi 121 mijë euro
Automjeti mban targën AC 753 ZN dhe, bazuar në specifikat e modelit, përputhet me një Mercedes-Benz S 350 d 4MATIC, një prej versioneve të gamës së re S-Class.
Ky është një nga modelet më të avancuara të Mercedes-Benz, i pozicionuar në segmentin luksoz dhe i pajisur me teknologji të dedikuara për komfortin dhe sigurinë.
Sipas çmimit zyrtar të modelit në Gjermani, një Mercedes-Benz S 350 d 4MATIC nis nga rreth 121,356 euro, me TVSH 19%, pa përfshirë kostot e dorëzimit.
Por, kostoja konkrete e kontratës së qirasë nuk është bërë publike në deklarimin e ministres.
Automjeti i ri është një prej modeleve më të fundit të linjës S-Class, e cila prej vitesh shërben si një nga modelet kryesore të Mercedes-Benz për teknologjinë, luksin dhe sistemet e sigurisë.



