Nga Arben Llangozi
Sa vendime manipulohen dhe askush nuk mban përgjegjësi?
Sa vendime nul vazhdojnë të prodhojnë pasoja?
Sa vendime për pensione ushqimore nuk ekzekutohen, ndërsa fëmijët dhe prindërit presin? Sa pensionistë vdesin duke pritur një vendim që nuk vjen kurrë?
Sa konflikte pronësie janë kthyer në plagë brezash? Sa çështje zgjasin 10, 15, 20 vjet e më shumë dhe askush nuk ngre zërin? Sa qytetarë humbin pasurinë, kohën, shëndetin dhe besimin te shteti duke bredhur nga një gjykatë në tjetrën, ndërsa sistemi sillet sikur kjo është normale?
Për këto nuk ka alarm. Për këto nuk ka revoltë. Për këto nuk ka mbledhje urgjente të shoqatave. Nuk ka KLGJ që të thërrasë me urgjencë, nuk ka KLP që të ngrejë zërin, nuk ka bojkot dhe nuk ka mobilizim të jashtëzakonshëm. Qytetari mund të presë, mund të rrënohet, mund të vdesë duke kërkuar drejtësi dhe sistemi vazhdon sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Por sapo preken pagat, statusi apo karriera e magjistratëve, papritur të gjithë zgjohen. Mblidhen shoqatat, reagon KLGJ-ja, reagon KLP-ja, bëhen deklarata, kërkohen ndërhyrje, kërkohet mbrojtje kushtetuese dhe paralajmërohet bojkot. Pra, kur vuan qytetari, heshtje. Kur preket xhepi apo karriera e sistemit, mobilizim total.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Gjykata e Apelit dhe Prokuroria e Apelit po mbahen peng nga interesa të brendshme dhe llogari karriere.
Duhet të thuhet publikisht nëse vende në Apel po mbahen bosh me qëllim që aty të sistemohen nesër gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut dhe GJKKO-së pas përfundimit të mandateve të tyre.
Apeli nuk është parking karriere për askënd. Nuk mund të mbash sot bosh vende që i duhen qytetarit, vetëm që nesër t’i rezervosh për njerëzit e sistemit. Nuk mund të zvarritësh mijëra dosje, të lësh qytetarët në pritje dhe njëkohësisht të bësh llogaritë se ku do të ulen nesër magjistratët që mbarojnë mandatet e tyre.
‘KLGJ dhe KLP duhet të japin përgjigje të qarta: sa vende vakante ka realisht në Apel, pse nuk plotësohen, kush i mban të bllokuara dhe nëse këto vende po ruhen për sistemimin e ardhshëm të magjistratëve të SPAK-ut dhe GJKKO-së. Nëse jo, le ta thonë publikisht. Nëse po, atëherë qytetarët duhet të dinë pse drejtësia e tyre po sakrifikohet për karrierën e dikujt tjetër.
Sepse problemi i madh i kësaj drejtësie është bërë i dukshëm: për qytetarin ka gjithmonë kohë për të pritur, por për interesat e sistemit nuk humbet asnjë minutë.



