KreuDrejtësiaDy vjet për një vend bosh në Kushtetuese/ Zvarritet plotësimi i vakancës

Dy vjet për një vend bosh në Kushtetuese/ Zvarritet plotësimi i vakancës

Kanë kaluar rreth dy vjet që nga krijimi i një vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së një prej anëtareve në shtator 2024, ndërsa procesi për plotësimin e vakancës vijon ende.

Në rastin më të mirë, procedura pritet të zgjasë edhe 1 deri në 3 muaj të tjerë, duke e çuar në rreth dy vjet kohën e nevojshme për plotësimin e një vendi të vetëm në gjykatën më të lartë kushtetuese të vendit.

Zvarritja e procesit ngre shqetësime për funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë, veçanërisht për mënyrën se si po funksionojnë filtrat dhe procedurat e verifikimit të kandidatëve nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED.

Ajo që u konceptua si një mekanizëm për garantimin e integritetit të kandidatëve për postet më të larta të sistemit të drejtësisë, përmes verifikimeve të thelluara, po shoqërohet në praktikë me procese të gjata dhe me përsëritjen e emrave në garat për vendet vakante.

Kur verifikimi administrativ për një pozicion zgjat me vite, ngrihen pikëpyetje mbi kapacitetet e institucioneve dhe aftësinë e tyre për të përfunduar në kohë procedurat e emërimit.

Vakancat në Gjykatën Kushtetuese marrin një rëndësi të veçantë edhe për shkak të ngarkesës së këtij institucioni dhe rasteve kur vendimmarrja kërkon një shumicë të cilësuar të anëtarëve.

Një tjetër problem që evidentohet është edhe mungesa e prurjeve të reja në garat për pozicionet e larta të sistemit të drejtësisë. Në listat e kandidatëve shfaqen shpesh të njëjtët juristë, mes tyre zyrtarë ndihmës në sistemin e drejtësisë apo funksionarë të administratës publike, të cilët aplikojnë për poste të ndryshme në institucionet e drejtësisë.

Kjo situatë ngre diskutime edhe për konkurencën reale dhe hapjen e sistemit ndaj profesionistëve të rinj, botës akademike dhe profesioneve të lira.

Për të shmangur zvarritjet, nevojiten afate të qarta dhe të detyrueshme për të gjithë procesin, nga verifikimet e KED-së deri te vendimmarrja përfundimtare e institucioneve përgjegjëse.

Një tjetër element i rëndësishëm është lehtësimi i procedurave dhe dokumentacionit të kërkuar nga kandidatët, duke shfrytëzuar aksesin online të institucioneve dhe mundësitë që ofron teknologjia.

Në kuadër të reformës në drejtësi, një prej mesazheve kryesore ka qenë se vonesa në drejtësi cenon vetë drejtësinë. Në rastin e plotësimit të vakancave në institucionet më të larta të sistemit, kjo problematikë merr një tjetër dimension, pasi bëhet fjalë për institucione që duhet të garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e qytetarëve te reforma.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat