Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura ditët e fundit nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndaj qeverisë dhe disa zyrtarëve.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ismaili i ka cilësuar akuzat e Ahmetajt si të pabazuara, duke e sfiduar ish-zyrtarin e lartë që të kthehet në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë.
“Zotëria, siç hedh llum ndaj punëve të qeverisë, të gjejë guximin dhe të vijë të përballet me drejtësinë”, u shpreh Ismaili për mediat.
Reagimi i saj vjen pas deklaratave të Ahmetajt, i cili ndodhet jashtë vendit dhe prej disa ditësh ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe disa zyrtarëve.
Mes pretendimeve të tij janë edhe akuza për përfshirje të disa zyrtarëve në trafik armësh, pretendime që janë hedhur poshtë nga pala qeveritare.
Përplasja publike mes Ahmetajt dhe qeverisë vijon ndërsa ish-zv.kryeministri ndodhet jashtë Shqipërisë dhe përballet me çështje të hapura me drejtësinë.



