Pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, rikthehet në vëmendje edhe çështja e së ardhmes së Gjykatës Speciale.
Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015 nga vetë institucionet e Kosovës. Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin kushtetues që mundësoi krijimin e tyre, ndërsa në të njëjtën ditë u miratua edhe ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në votimin për ndryshimin kushtetues, 82 deputetë votuan pro, 5 kundër dhe një deputet abstenoi.
Pra, institucioni që sot po gjykon ish-krerët e UÇK-së nuk u krijua vetëm përmes një ligji të zakonshëm. Baza e tij është futur edhe në Kushtetutën e Kosovës, përmes nenit 162.
Pikërisht për këtë arsye, një nismë për mbylljen ose shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të ishte më e ndërlikuar sesa thjesht shfuqizimi i një ligji nga Kuvendi.
Por edhe po të mbyllej apo shfuqizohej Gjykata nuk do të thotëse anulohen dënimet e dhëna prej saj. Vendimet gjyqësore dhe statusi i personave të dënuar nuk zhduken automatikisht vetëm për shkak të ndryshimit të institucionit që i ka dhënë ato.
Në rastin konkret, vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është ende i shkallës së parë dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Vetë Dhomat e Specializuara parashikojnë vazhdimësinë e funksioneve të tyre edhe për çështjet që kërkojnë trajtim pas përfundimit të mandatit.
Kështu, edhe nëse në të ardhmen do të kishte një nismë politike për ndryshimin ose shfuqizimin e bazës ligjore të Gjykatës Speciale, kjo nuk do të sillte vetvetiu lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së apo fshirjen e dënimeve të tyre.
Në vitin 2015, krijimi i Gjykatës u miratua nga Kuvendi me shumicë të cilësuar dhe u bë pjesë e rendit kushtetues të Kosovës. Çdo përpjekje për ndryshimin e këtij kuadri do të duhej të ndiqte procedurat kushtetuese dhe ligjore përkatëse.



