Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Demokratike ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve në Komisionin e Ligjeve për reformën territoriale, duke kërkuar që të priten përgjigjet e bashkive për projektin e opozitës.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi kundërshtoi vijimin e procesit drejt votimit, me argumentin se drafti i opozitës, që parashikon rritjen e numrit të bashkive në 100, është dërguar për konsultim te njësitë e qeverisjes vendore.
“Mos votoni, është dërguar për konsultim projekti ynë”, deklaroi Bylykbashi.
Sipas deputetit demokrat, procesi duhet të vijojë pasi bashkitë të kenë dhënë qëndrimin e tyre për propozimin e opozitës.
Në të njëjtën mbledhje, deputetja e PD-së Jorida Tabaku ngriti shqetësimin për mungesën e konsultimit me Bashkinë e Tiranës.
Tabaku iu referua edhe deklarimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj lidhur me reformën, duke i cilësuar shqetësimet e tij si serioze dhe duke kërkuar që ato të merren në konsideratë gjatë diskutimit të ndryshimeve territoriale.
Debati në Komisionin e Ligjeve vjen në një moment kur reforma territoriale është rikthyer në tryezën e Kuvendit, ndërsa opozita kërkon ndryshimin e hartës aktuale dhe rritjen e numrit të bashkive në vend.



