Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Bregdeti shqiptar po mbushet me projekte të reja ndërtimi, nga kullat shumëkatëshe te komplekset turistike dhe rezidencat luksoze. Në disa prej qyteteve kryesore turistike, projektet e miratuara ose të paraqitura për miratim parashikojnë ndërtime që ndryshojnë ndjeshëm panoramën e zonave bregdetare.
Fenomeni është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare edhe përmes një artikulli të publikuar këtë të premte nga The Guardian, i cili i kushton një analizë të gjatë bumit të ndërtimeve në Shqipëri dhe projekteve të arkitektëve ndërkombëtarë. Artikulli përmend projekte në Vlorë, Sarandë, Shëngjin dhe zona të tjera turistike.
Por pas projekteve të mëdha që shfaqen në prezantime dhe vizualizime, janë edhe dokumentet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit që tregojnë përmasat e zhvillimit.
Në një listë me 49 leje të publikuara gjatë vitit 2026, përfshihen projekte me lartësi të konsiderueshme në disa prej qyteteve bregdetare.
Në Vlorë, një projekt i zhvilluar nga “Hanxhari Group” parashikon një kullë deri në 38 kate.
Në Durrës, projekti “Durrës Tower” parashikon ndërtesa me 24 dhe 32 kate.
Në Shëngjin, një kompleks me funksion rezidencial, hoteleri dhe shërbime parashikon ndërtime deri në 30 kate, me subjekt zhvillues “Dimension Construction”.
Në mbledhjet e KKTU-së janë shqyrtuar edhe projekte turistike në Himarë, Sarandë, Vlorë, Shëngjin, Borsh, Jalë dhe Gjirin e Lalzit. Në prill 2026, mes projekteve të refuzuara në atë mbledhje ishte edhe “Ground Zero Resort” në Vlorë, i parashikuar si strukturë hoteliere dhe rezidenca turistike me ndërtesa deri në 24 kate.
Në Himarë dhe Sarandë janë paraqitur gjithashtu projekte për struktura hotelerie dhe apart-hotele.
Të dhënat e regjistruara për një prej shoqërive zhvilluese tregojnë, për shembull, një leje ndërtimi të vitit 2025 në Himarë për një kompleks rezidencial dhe apart-hotel 4-5 kate, si dhe një tjetër leje në Sarandë për një strukturë apart-hoteli me ndërtesa deri në 11 kate.
Në Vlorë, ndërkohë, projektet turistike kanë prekur edhe zonën e Zvërnecit. Dokumentet e shoqërisë “Concord Investment” tregojnë se një kompleks turistik pranë fshatit Zvërnec është paraqitur në procedurat e KKT/KKTU-së në vitet 2024 dhe 2025.
Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2026 u miratuan 322 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, 24.8% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipërfaqja totale e lejeve për ndërtesa të reja arriti në 377,061 metra katrorë.
INSTAT sqaron se këto statistika bazohen aktualisht në të dhënat e raportuara nga bashkitë dhe se ende nuk ekziston një raportim plotësisht i standardizuar nga të gjitha institucionet që përfshihen në procesin e miratimit të lejeve.
Shifrat dhe lejet tregojnë se ndërtimi në bregdet nuk është më një fenomen i izoluar.



