KreuDrejtësiaAgasi në makinën e ish-zyrtarit të Policisë/ Dy versionet që përplasen në...

Agasi në makinën e ish-zyrtarit të Policisë/ Dy versionet që përplasen në dosjen e SPAK

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Uljan Shpataraku, ish-drejtues i lartë i Policisë dhe një prej bashkëpunëtorëve të afërt të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, ka mohuar në Gjykatën e Posaçme të ketë njohje me Ergys Agasin, person i shpallur në kërkim nga drejtësia për dyshime lidhur me manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Shpataraku është arrestuar më 26 gusht 2026, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin ku ndodhej edhe Ergys Agasi. Përpara trupës gjyqësore, ai ka deklaruar se takimi me Agasin ka qenë krejtësisht rastësor dhe se e kishte marrë në makinë pasi i kishte bërë shenjë për autostop.

“Unë nuk e njoh Ergys Agasin. Po udhëtoja me automjet drejt Elbasanit dhe një person më ngriti dorën për autostop. E mora, pasi jam besimtar dhe nuk kam frikë nga njerëzit që kanë hall në rrugë”, ka deklaruar Shpataraku.

Ai ka rrëfyer se në orët e para të mëngjesit kishte udhëtuar drejt Durrësit, ku ndodhej djali i tij me temperaturë të lartë, ndërsa më pas ishte nisur drejt Elbasanit.

“Rreth orës 01:00 të natës, për shkak se djali kishte temperaturë të lartë dhe ndodhej në Durrës, te vjehrri i tij, në zonën e Kënetës, mora bashkëshorten dhe shkuam tek familja e saj. Të nesërmen mora makinën dhe u nisa për në Elbasan. Takova dy miq dhe u nisa për t’u kthyer në Durrës”, ka deklaruar ai.

Sipas versionit të Shpatarakut, gjatë kthimit nga Elbasani ai ka marrë në automjet një person që i kishte bërë shenjë në rrugë.

“Po kthehesha nga rruga e vjetër e Elbasanit. Gjatë udhëtimit, një person më bëri shenjë me dorë dhe unë e mora në makinë. Ky person më tha se quhej ‘Berti’ dhe se punonte me duralumin. Në afërsi të Plepave, në Durrës, na ndaloi policia. Aty mësova se personi që kisha marrë në makinë ishte Ergys Agasi”, ka thënë ish-funksionari i Policisë.

Shpataraku ka këmbëngulur se nuk kishte si ta njihte Agasin, duke argumentuar se personi që kishte marrë në makinë ishte i maskuar në pamje, me mjekër, kapele dhe shapka.

I pyetur nëse merrte shpesh në makinë persona që i bënin autostop, ai është përgjigjur: “Po! Unë nuk kam frikë nga personat në rrugë, jam besimtar dhe mundohem të ndihmoj të tjerët”.

Edhe për automjetin, Shpataraku ka dhënë shpjegime. Sipas tij, Audi A6 që drejtonte nuk ishte i tij, por i një miku të cilin e ka identifikuar vetëm me emrin “Tomi”, duke deklaruar se nuk i kujtohej mbiemri. Ai tha se kishte marrë makinën pasi mjeti i tij ishte prishur.

Për udhëtimin në Elbasan, ish-drejtuesi i Policisë ka deklaruar se kishte takuar dy miq dhe se ky udhëtim, sipas tij, nuk përbënte asgjë të paligjshme.

Çfarë thotë vëzhgimi i Policisë

Përballë këtij versioni qëndrojnë të dhënat operative të administruara në dosjen e arrestimit, ku Prokuroria e Posaçme ka përfshirë raportin e vëzhgimit të Forcave Operacionale.

Sipas këtij raporti, operacioni për lokalizimin e Ergys Agasit kishte nisur që në mëngjesin e 26 gushtit 2026.

Ora 08:00 – Grupet e vëzhgimit u vendosën në Durrës, pranë rrethit të Shkozetit, pas komunikimit me Oficerin e Policisë Gjyqësore. Objektivi ishte lokalizimi dhe kapja e Ergys Agasit, i cili rezultonte person në kërkim.

Sipas informacioneve operative, Agasi dyshohej se ishte akomoduar në një kompleks vilash në kryqëzimin e rrugëve “Durrësi në Shekuj” dhe “Bajram Tusha”.

Zona u monitorua edhe me dron.

Ora 11:39 – Në kompleks u konstatua një person që dyshohej të ishte Ergys Agasi. Ai u pa duke dalë nga ambientet e katit të dytë, i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona treçerekëshe të zeza.

Ora 11:59 – Në kompleks hyri një automjet Audi A6 me portobagazh, ngjyrë e zezë. Mjeti kaloi përmes portës kryesore dhe u fut në parkimin nëntokësor. Për shkak të xhamave të errësuar, në këtë moment nuk u bë i mundur identifikimi i personave që ndodheshin në automjet.

Ora 12:02 – Audi A6 doli nga parkimi nëntokësor. Në sediljen e përparme, pranë drejtuesit, u konstatua një person me bluzë të bardhë, i cili, bazuar në të dhënat operative dhe rrethanat e vëzhguara, dyshohej të ishte Ergys Agasi.

Automjeti u mbajt në vëzhgim dhe vijoi lëvizjen.

Ora 12:03 – Audi A6 me targa AB 323 JK u largua nga kompleksi i vilave. Mjeti kaloi në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit dhe më pas drejt Plepave.

Nga zona e Plepave, automjeti vijoi drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit dhe Elbasanit.

Ora 13:35 – Audi A6 mbërriti në Bradashesh dhe vijoi drejt rrugës “Kadri Hoxha”. Pranë tregut agro-ushqimor, automjeti u fut në një rrugicë dhe vëzhgimi u ndërpre përkohësisht. Grupet operative u pozicionuan në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Kthimi nga Elbasani dhe ndalimi në Plepave

Vëzhgimi u rikthye në orën 18:16, kur Audi A6 me targa AB 323 JK u konstatua duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha”.

Mjeti vijoi lëvizjen nga Bradasheshi drejt autostradës, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe Kavajës.

Në afërsi të Plepave, automjeti u ndal nga forcat e Policisë.

Në sediljen e përparme rezultoi të ishte Ergys Agasi, personi që ndodhej në kërkim nga autoritetet, ndërsa në drejtimin e automjetit ishte Uljan Shpataraku.

Kjo është dinamika e dokumentuar në raportin e vëzhgimit të përfshirë në materialet e dosjes, ndërsa Shpataraku, nga ana e tij, ka dhënë një version tjetër në gjykatë: se nuk e njihte Agasin dhe se e kishte marrë në makinë rastësisht, pasi ky i fundit i kishte bërë autostop.

Gjykata pritet të vlerësojë provat dhe shpjegimet e palëve për të përcaktuar nëse qëndrimi dhe veprimet e Shpatarakut përbëjnë veprën penale për të cilën është arrestuar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat