KreuDrejtësiaPas hakerimit të email-eve dhe videove që ekspozojnë prokurorët/ SPAK hap tenderin...

Pas hakerimit të email-eve dhe videove që ekspozojnë prokurorët/ SPAK hap tenderin 650 mijë euro

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

SPAK kërkon të blindojë sistemet e tij digjitale pas sulmeve ndaj email-eve të prokurorëve. Dokumentet e tenderit tregojnë se institucioni po investon 64.6 milionë lekë për një arkitekturë të re sigurie, që do të monitorojë komunikimet, kontrollojë akseset dhe kufizojë lëvizjen e një sulmuesi brenda rrjetit.

Prokuroria e Posaçme ka hapur më 5 tetor procedurën me objekt “Sisteme për sigurinë kibernetike”, me fond limit 64,602,500 lekë. Afati për dorëzimin e ofertave është 5 nëntor 2026, ora 12:00. Numri i referencës së tenderit është REF-02685-10-04-2026.

Investimi vjen pas incidentit ku u vunë në shënjestër llogaritë elektronike të disa prokurorëve të SPAK-ut dhe pas raportimeve për një tentativë ndërhyrjeje edhe në email-in e ish-kreut të SPAK, Altin Dumani. Sipas raportimeve, nga incidenti u nxorën të dhëna, ndërsa SPAK ka deklaruar se nuk u cenuan dosjet hetimore apo sistemet e brendshme të institucionit.

Katër sisteme për të mbyllur “vrimat”

Dokumentet e tenderit tregojnë se SPAK nuk po kërkon një zgjidhje të vetme të thjeshtë, por një sistem të integruar sigurie.

Në qendër është SIEM + UEBA + SOAR, një platformë që mbledh dhe analizon log-et e sistemeve, identifikon sjellje të dyshimta dhe mund të automatizojë reagimin ndaj incidenteve.

Një tjetër komponent është IAM – Identity and Access Management, që synon të kontrollojë identitetet dhe të drejtat e aksesit të përdoruesve.

Sistemi PAM – Privileged Access Management është veçanërisht i rëndësishëm për llogaritë me privilegje të larta. Ai mundëson monitorimin dhe regjistrimin e veprimeve të administratorëve teknikë.

Pjesë e paketës është edhe mikrosegmentimi “Zero Trust”, i cili synon të kufizojë komunikimin mes serverëve dhe të pengojë një sulmues që, pasi të komprometojë një pajisje, të lëvizë më tej në rrjet.

SPAK kërkon sistemin “on-premise”

Dokumentet parashikojnë që arkitektura e re të funksionojë “On-Premise”, pra brenda mjediseve fizike të SPAK-ut.

Kjo është një pikë me rëndësi për një institucion që administron të dhëna hetimore dhe komunikime të klasifikuara si sensitive. Sipas dokumentacionit të tenderit, ndërvarësia teknike dhe funksionale e sistemeve është arsyeja që procedura të realizohet si një paketë e integruar dhe jo të ndahet në lote.

Në praktikë, SPAK kërkon që sistemet e ndryshme të sigurisë të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe të krijojnë një mburojë të përbashkët për infrastrukturën digjitale.

Nga email-et te videot

Tenderi vjen në një periudhë kur siguria e prokurorëve është bërë një çështje më e gjerë se mbrojtja e email-eve.

Krahas sulmeve kibernetike, në dosje të ndryshme hetimore janë shfaqur materiale video të regjistruara nga persona nën hetim. Rasti i Ergys Agasit është një prej atyre që ka marrë vëmendje të madhe, pas raportimeve për video të regjistruara në ambientet ku ai qëndronte dhe ku pretendohet se shfaqen edhe persona të lidhur me strukturat e drejtësisë.

Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet rreth ekspozimit të prokurorëve dhe hetuesve, por duhet bërë dallimi mes sigurisë kibernetike dhe sigurisë fizike apo përgjimit me kamera.

Mbi 600 mijë euro pas incidentit

SPAK kishte deklaruar edhe më herët se siguria kibernetike ishte një nga fushat e rëndësishme të punës së strukturës së tij të teknologjisë së informacionit. Në raportin vjetor 2024, institucioni raportonte për hartimin e një Strategjie të Sigurisë Kibernetike.

Por pas incidentit të fundit, institucioni po kalon në një tjetër nivel investimi.

Tashmë në tavolinë është një kontratë me fond limit 64.6 milionë lekë, rreth 650 mijë euro, për një sistem që synon jo vetëm të zbulojë ndërhyrjet, por edhe të kontrollojë akseset dhe të kufizojë përhapjen e një sulmi brenda rrjetit.

Oferta fituese do të përcaktojë se cila kompani do të marrë përsipër ngritjen e kësaj infrastrukture dhe sa do të jetë në fund fatura që do të paguajë SPAK.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat