KreuAktualitetBotaTrump kërcënon me largim këshilltarët që punuan në Bosnje/ Mes tyre strategu...

Trump kërcënon me largim këshilltarët që punuan në Bosnje/ Mes tyre strategu i PD-së në Shqipëri

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas raportimeve për angazhimin e dy prej konsulentëve të tij politikë, Chris LaCivita dhe James Blair, në Republikën Srpska të Bosnje-Hercegovinës, duke deklaruar se do të shqyrtojë nëse puna e tyre për klientë të tjerë krijon konflikt interesi.

Në një reagim në Truth Social, Trump sqaroi se LaCivita dhe Blair janë konsulentë të jashtëm dhe nuk janë të punësuar ekskluzivisht prej tij. Sipas presidentit amerikan, ata mund të punojnë edhe për klientë të tjerë, ndërsa paralajmëroi se nëse konstatohet konflikt interesi, bashkëpunimi me ta mund të ndërpritet menjëherë. Reuters raportoi se deklarata erdhi pas publikimit të një artikulli të New York Times mbi udhëtimin e tyre në Bosnje.

LaCivita dhe Blair kishin udhëtuar në Republikën Srpska, entitetin me shumicë serbe brenda Bosnje-Hercegovinës, në prag të zgjedhjeve lokale. Sipas raportimeve, ata kishin ofruar këshillim për autoritetet lidhur me çështje elektorale.

Angazhimi i dy konsulentëve është bërë përmes një firme ligjore në Washington të kontraktuar nga qeveria e Republikës Srpska, ndërsa sipas raportimeve ata janë paguar me qindra mijëra dollarë.

Rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të rolit që LaCivita dhe Blair kanë në strukturat politike të lidhura me Trumpin. Blair ka shërbyer më parë si zëvendësshef i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa LaCivita është një prej strategëve të rëndësishëm të krahut politik të Trumpit.

LaCivita, nga Trump te fushata e PD-së në Shqipëri

Emri i Chris LaCivitas është i njohur edhe në Shqipëri.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, LaCivita u angazhua nga Partia Demokratike si konsulent strategjik i fushatës. Dokumentet financiare të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve treguan se kompania e tij, Advancing Strategies, mori pagesa nga PD për shërbimet e konsulencës.

Sipas raportimeve mbi dokumentet e dorëzuara në KQZ, pagesat ndaj kompanisë së LaCivitas arritën në 139,111,686 lekë.

LaCivita u shfaq gjatë fushatës në krah të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, ndërsa u prezantua si një prej strategëve amerikanë të angazhuar për zgjedhjet e 11 majit.

Pagesat për të u kryen në disa këste gjatë vitit 2025, ndërsa një pjesë e pagesës rezulton të jetë kryer edhe pas ditës së zgjedhjeve, sipas të dhënave të publikuara nga raportet financiare të fushatës.

Rasti i fundit në Bosnje nuk lidhet drejtpërdrejt me kontratën që LaCivita kishte me Partinë Demokratike shqiptare. Por ai rikthen në vëmendje mënyrën se si strategët politikë amerikanë mund të angazhohen paralelisht në fushata dhe projekte politike në vende të ndryshme.

Vetë Trump, në reagimin e tij, ka bërë dallimin mes rolit të tij politik dhe marrëdhënies kontraktuale me LaCivitan dhe Blair. Ai i përshkroi si konsulentë të jashtëm dhe la të hapur mundësinë e ndërprerjes së bashkëpunimit nëse puna e tyre për klientë të tjerë rezulton në konflikt interesi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat