Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, pas vetëm shtatë muajsh në detyrë, ngre pikëpyetje për arsyet e largimit dhe problematikat me të cilat është përballur drejtimi i sistemit penitenciar. Kupi njoftoi vetë vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, por pa dhënë një shkak konkret që e çoi drejt largimit.
Ajo që bie në sy në mesazhin e tij është mënyra se si e përshkruan periudhën në krye të institucionit. Kupi flet për probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira dhe përgjegjësi që nuk mund të shtyheshin. Ai përmend gjithashtu kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur, duke lënë të hapur interpretimin për atë që ka ndodhur gjatë këtyre muajve.
“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”, shkruan Kupi, ndërsa shton se për disa çështje koha do të flasë më qartë.
Problemet që mbeten pas dorëheqjes
Largimi i Kupit vjen në një kohë kur sistemi penitenciar përballet me problematika të dokumentuara. Një inspektim i Avokatit të Popullit në burgun e Shënkollit, i publikuar në korrik, evidentoi mbipopullim të rëndë dhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor.
Edhe raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, për vitin 2025, ngrinte shqetësime për kujdesin shëndetësor, mungesën e personelit dhe korrupsionin në sistemin e burgjeve. Këto problematika janë evidentuar më herët dhe nuk mund të lidhen automatikisht me largimin e drejtorit.
Në prill 2026, kur Kupi mori detyrën duke zëvendësuar Klevis Qosen, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e paraqiti ndryshimin si një hap për forcimin e sistemit dhe rritjen e disiplinës në institucionet e vuajtjes së dënimit. Shtatë muaj më vonë, Kupi largohet pa dhënë një bilanc të detajuar të punës dhe pa sqaruar se cilat ishin pengesat që përmend në deklaratën e tij.
Ministri i Drejtësisë ka konfirmuar pranimin e dorëheqjes dhe ka bërë të ditur se procedurat për emërimin e drejtuesit të ri do të vijojnë sipas ligjit. Në reagimin e tij, Toni Gogu nuk ka dhënë hollësi për arsyet e largimit.



