KreuAktualitetPolitikaArrestimi i Vlora Hyseni dhe projekti i Kushnerit/ Çfarë tha Rama në...

Arrestimi i Vlora Hyseni dhe projekti i Kushnerit/ Çfarë tha Rama në Luksemburg?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Pas përfundimit të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, kryeministri u ndal te investimi i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka nxitur reagime dhe kundërshtime në Shqipëri.

Rama tha se projekti është shumë më i gjerë sesa emri i investitorit dhe se synimi është krijimi i një modeli zhvillimi në harmoni me natyrën.

“Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri, sepse kur e sheh nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh, dhe po ta shihni me kaq filtra të medias online, do të jeni të paqartë. Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se synimi është që investimi të shërbejë si model për mënyrën se si zhvillohen projektet në kohët e sotme, duke respektuar mjedisin.

Rama: Protestat ndihmuan në përmirësimin e projektit

Duke iu referuar manifestimeve dhe reagimeve kundër projektit, Rama pretendoi se ato kanë ndikuar në përmirësimin e tij dhe në krijimin e kushteve për rezultate që mund të bindin më shumë njerëz.

“Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim”, deklaroi kryeministri.

Megjithatë, Rama theksoi se rezultatet e projektit mbeten për t’u provuar dhe se vlerësimi duhet të mbështetet te faktet. Ai u shpreh se qeveria pret momentin kur do të mund të paraqesë punën e bërë deri tani.

Rama për arrestimin e Vlorës Hyseni: Askush nuk është mbi ligjin

Gjatë konferencës, kryeministri u pyet edhe për arrestimin e kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Në përgjigjen e tij, Rama u ndal te funksionimi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit, duke e paraqitur zhvillimin si tregues të ndryshimit të sistemit.

“Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë”, u shpreh ai.

Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një vend që, sipas tij, njihej si “atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë”, në një vend ku askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, përfundoi kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur projektet e mëdha të investimit dhe roli i drejtësisë në Shqipëri vijojnë të jenë në qendër të debatit publik. Ndërsa kryeministri e paraqiti investimin e Kushnerit si një mundësi zhvillimi, pretendimi për përmirësimin e projektit si pasojë e protestave dhe reagimeve publike mbetet një vlerësim i tij, që kërkon të shoqërohet me të dhëna konkrete mbi ndryshimet e bëra.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat