Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Policia e Shtetit ka reaguar për protestën që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat që kryejnë akte dhune.
Në reagimin zyrtar, policia pretendon se persona të maskuar po sulmojnë efektivët dhe po dëmtojnë pronën publike e private. Për këtë arsye, u kërkohet protestuesve që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe të ndërpresin menjëherë çdo veprim të kundërligjshëm.
Policia thekson se e drejta për të protestuar garantohet nga Kushtetuta, por nënvizon se dhuna ndaj punonjësve të policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e dënueshme me ligj.
“Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Uniformat blu bëjnë me dije se do të vijojnë të angazhohen për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke deklaruar se do të veprojnë me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.
Reagimi vjen në një moment kur protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione, ndërsa studentët vijojnë tubimin dhe kërkesat e tyre.



