Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Shkulja e pllakës përkujtimore të Aleks Nikës gjatë protestës së 25 tetorit në Tiranë ka rikthyer dhimbjen te familjarët e tij, të cilët prej më shumë se 15 vitesh kërkojnë drejtësi për vrasjen e 21 janarit 2011.
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, thotë se nuk e di se kush e ka hequr pllakën nga vendi ku nipi i tij u vra gjatë protestës së 21 janarit, por kërkon që ngjarja të hetohet dhe autorët e vrasjes të dalin para drejtësisë.
“Nga mediat mësova se forca të errëta, nuk e di se kush, e kanë hequr pllakën që ta shuajnë këtë kujtim që kemi për Aleksin”, u shpreh Mark Nika.
Ai theksoi se familja vijon të kërkojë drejtësi për vrasjen, ndërsa bëri thirrje që çështja të hetohet sa më shpejt nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
“Por, ne e dimë kush janë vrasësit, SPAK po e heton çështjen dhe i bëjmë thirrje që vrasësit të shkojnë para drejtësisë dhe të mos bredhin sërish si në Parlament, si jashtë saj”, deklaroi ai.
Për familjen Nika, heqja e pllakës është një tjetër goditje, pasi ajo shërbente si shenjë kujtimi për Aleksin dhe vendin ku ai humbi jetën.
“Është një ditë e rëndë për ne. Aleksi nuk kthehet më. Kur vinim në Tiranë e kujtonim ku është vrarë dhe pse është vrarë”, tha Mark Nika.
Ai shprehu bindjen se pllaka do të rivendoset dhe përsëriti thirrjen drejtuar SPAK-ut për përfundimin sa më të shpejtë të hetimeve.
Aleks Nika është një nga katër protestuesit që humbën jetën gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, përpara Kryeministrisë, në Tiranë. Familjarët e viktimave vijojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të personave që kanë lidhje me vrasjet.



