KreuAktualitetPD bërtet kundër Ramës/ Familjarët e tyre të punësuar në shtet: Emrat...

PD bërtet kundër Ramës/ Familjarët e tyre të punësuar në shtet: Emrat dhe pagat

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Deputetët e opozitës e kanë të përditshme kritikën ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke denoncuar mënyrën se si funksionon administrata dhe duke kërkuar llogari për përdorimin e pushtetit.

Por, deklaratat e tyre të pasurisë për vitin 2025 tregojnë edhe një anë tjetër. Familjarë të disa prej tyre rezultojnë të punësuar në institucione publike, nga Banka e Shqipërisë dhe universitetet, te ministritë dhe institucionet e pavarura.

Pra, del një tjetër çështje që opozita nuk mund ta shmangë kur flet për standardet e qeverisjes. Pyetja shtrohet se sa transparentë janë vetë përfaqësuesit e saj për marrëdhëniet familjare me institucionet shtetërore dhe në çfarë kushtesh janë bërë këto punësime?

Sipas të dhënave të deklaruara për vitin 2025, bashkëshortja e deputetit Agron Gjekmarkaj, Elda Mataj, punon në Bankën e Shqipërisë dhe ka deklaruar të ardhura totale prej 20,438 eurosh, përfshirë pagën dhe shpërblimet. Në të njëjtin institucion është e punësuar edhe Margerita Topalli, vajza e Jozefina Topallit, e cila ka deklaruar pagë prej 10,248 eurosh.

Në arsimin e lartë, bashkëshortja e Flamur Nokës, Eva Noka, rezulton pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, me të ardhura vjetore nga paga prej 14,137 eurosh. Edite Sadiku, bashkëshortja e deputetit Kliti Hoti, ka deklaruar të ardhura nga puna si mjeke në QSUT dhe si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë.

Edhe në administratën publike ka raste të tjera. Bashkëshortja e Bujar Leskajt, Silvana Leskaj, ka deklaruar pagë prej 17,666 eurosh nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Bashkëshortja e Bledjon Nallbatit, Elona Nallbati, rezulton e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, me të ardhura nga paga prej 8,050 eurosh.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave është e punësuar Fabiola Spahiu, bashkëshortja e Bardh Spahisë, e cila ka deklaruar 2,111 euro të ardhura nga paga për periudhën shtator–dhjetor 2025. Ndërsa bashkëshortja e Kastriot Pirolit, Donika Piroli, rezulton e punësuar në strukturat arsimore në Lezhë, me të ardhura prej 9,663 eurosh. Në deklarimet e publikuara raportohet gjithashtu se djali i tij punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Një tjetër rast është ai i Dasara Memës, partnerja e deputetit Edi Paloka, e cila rezulton e punësuar në Shkollën e Magjistraturës, me pagë të deklaruar prej 10,680 eurosh.

Çështja nuk është nëse familjarët e opozitës kanë të drejtë të punojnë në institucione publike. Por, pyetja që kërkon përgjigje është nëse janë respektuar procedurat e konkurimit, kriteret profesionale dhe rregullat për shmangien e konfliktit të interesit.

Për një opozitë që e ka pjesë të retorikës së saj denoncimin, mënyrën se si qeveria ushtron pushtetin, transparenca për këto marrëdhënie është po aq e rëndësishme sa akuzat që drejton ndaj kundërshtarëve politikë. Standardi nuk mund të jetë i ndryshëm kur bëhet fjalë për pushtetin e kundërshtarit dhe për lidhjet e vetë politikanëve me institucionet shtetërore.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat