Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Socialiste ka konfirmuar pjesëmarrjen në konsultimet me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar përmes një deklarate, ku krahas konfirmimit të pjesëmarrjes së socialistëve, ka ironizuar Partinë Demokratike për refuzimin e ftesës për konsultime.
Balla ka theksuar se konsultimi i Presidentit me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve është një procedurë e ndjekur nga çdo kreu i shtetit, duke e cilësuar qëndrimin e PD-së si kundërshtim ndaj një tradite institucionale.
Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së ka përdorur tone ironike ndaj opozitës, duke iu referuar selisë së Partisë Demokratike si “depoja e molotovëve”-SHQUP.
“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot ‘depoja e molotovëve’-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite”, shprehet Balla.
Ai i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2027, të cilat, sipas tij, pritet të zhvillohen në periudhën nga 15 prilli deri më 15 maj.
“Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prillit – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.”, vijon reagimi i Ballës.



