KreuAktualitetPolitikaThirrja e deputetit shqiptar për Ramën/ "Mos e lini Luginën e Preshevës...

Thirrja e deputetit shqiptar për Ramën/ “Mos e lini Luginën e Preshevës vetëm në nivel ambasadorësh”

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Deputeti shqiptar i sapozgjedhur në parlamentin e Serbisë, Visar Mehmeti, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të angazhohet më shumë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në një intervistë për A2 CNN, Mehmeti ka theksuar se bashkëpunimi me Tiranën zyrtare nuk është në nivelin e duhur, duke nënvizuar se çështjet që prekin shqiptarët e kësaj treve kërkojnë angazhim më të drejtpërdrejtë nga kreu i qeverisë shqiptare.

Sipas Mehmetit, ndonëse ambasadori i Shqipërisë është i pranishëm shpesh në Luginën e Preshevës, kjo nuk mjafton për të adresuar problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Serbi. Ai ka kujtuar se në të kaluarën ka pasur bashkëpunime serioze me institucionet shqiptare dhe ka kërkuar që ky angazhim të forcohet.

“Në të kaluarën kemi pasur bashkëpunime serioze me Tiranën zyrtare. Kohët e fundit nuk është sa duhet, për fat të keq, edhe pse ambasadori i Shqipërisë është prezent shpeshherë në Luginën e Preshevës, por nuk është e mjaftueshme të mbetet në nivel ambasadorësh. Barrën kryesore e ka kryeministri i Shqipërisë. Dhe mendoj që kryeministri duhet të bëjë më tepër për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mos anashkaluar interesimin e Presidentit Begaj e ministrit Hoxha, por e dimë impaktin e kryeministrit të shtetit”, deklaroi Mehmeti.

Pasivizimi i adresave, shqetësimi kryesor i shqiptarëve

Një nga çështjet kryesore ku deputeti shqiptar kërkon angazhim është pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi, një problem që, sipas tij, ka kufizuar edhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Mehmeti bëri të ditur se kjo çështje është ngritur në Parlamentin Evropian, në institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe në Senatin dhe Kongresin amerikan. Ai theksoi se kërkesa kryesore është rikthimi në fuqi i adresave të pasivizuara, në mënyrë që qytetarët të mund të rifitojnë të drejtat e tyre dhe të përdorin dokumentacionin që kanë pasur më parë.

“Pasivizimi i adresave ka arritur në PE, në BE, në Senatin e Kongresin amerikan, është tematizuar tej mase kjo çështje. Ne si deputetë, duke qenë këmbëngulës që kjo qasje ndaj këtij fenomeni të ndryshohet, kërkesa kryesore është që adresat e pasivizuara të aktivizohen dhe qytetarët të kenë mundësi të paraqiten me dokumentacione të vlefshme që i kanë pasur në të kaluarën”, u shpreh ai.

Sipas Mehmetit, pasivizimi i adresave është një prej faktorëve që ndikoi në mosarritjen e mandatit të tretë nga përfaqësuesit shqiptarë në zgjedhjet e fundit në Serbi. Ai pretendon se shumë shqiptarëve u është pamundësuar votimi për shkak të këtij fenomeni.

Deputeti nënvizoi se puna për të drejtat e shqiptarëve është një proces që ka nisur dekada më parë, por që ende nuk ka arritur rezultatet e synuara.

“Kemi shumë detyra e punë për të bërë që kanë nisur dekada më parë, por nuk është arritur qëllimi ynë që të vihen në pah të drejtat tona. Ka shumë çështje për t’u shtjelluar e ngritur zëri, por më tematike është pasivizimi i adresave”, tha Mehmeti.

Ai shtoi se, me rreth 97% të votave të numëruara në momentin e intervistës, shanset për ndryshimin e numrit të mandateve shqiptare ishin shumë të vogla. Sipas tij, dy faktorët kryesorë që ndikuan në rezultatin zgjedhor ishin pjesëmarrja e lartë e votuesve në Serbi dhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve.

Bashkëpunimi me Listën Studentore

Duke folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve në Serbi, Mehmeti u shpreh se pret që bashkëpunimi me forcën kryesore fituese, Listën Studentore, të diskutohet pasi rezultati zgjedhor të certifikohet zyrtarisht.

Ai shpjegoi se, sipas praktikave të mëparshme, partia fituese fton përfaqësuesit e pakicave për bisedime, ndaj pret që edhe këtë herë të ketë kontakte për mundësinë e bashkëpunimit në legjislaturën e re.

“Është ende herët për të kontaktuar, por nga praktikat e mëparshme partia fituese i thërret posaçërisht partitë e pakicave. Dhe në këtë rast, pasi të certifikohet rezultati, Lista Studentore i thërret partitë e pakicave. Besoj se do të kemi kontakte e biseda për bashkëpunim në legjislaturën e re”, deklaroi ai.

Mehmeti tha se koalicioni shqiptar ka një platformë politike të hartuar gjatë fushatës, e cila synon të vendosë në tryezë çështjet kryesore që prekin shqiptarët. Ai u shpreh i gatshëm për dialog dhe bashkëpunim, por theksoi se qëndrimi ndaj pakicave duhet të vlerësohet nga veprimet konkrete të forcës fituese.

Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse qasja e re politike në Serbi do të sjellë përmirësime reale për shqiptarët.

Njohja e Kosovës nga Serbia, Mehmeti nuk pret ndryshime drastike

I pyetur nëse ardhja e Listës Studentore në pushtet mund të ndikojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, Mehmeti u shpreh se mund të ketë një qasje disi të ndryshme nga ajo e qeverisjes së mëparshme, por nuk pret ndryshime të mëdha.

Ai vlerësoi se çështja e Kosovës mbetet politikisht e ndjeshme në Serbi dhe se pranimi publik i realitetit politik përbën një sfidë për partitë që kërkojnë mbështetjen e votuesve.

“Unë besoj dhe jam i bindur që do të ketë një qasje pak më ndryshe, por nuk mund të presim ndonjë ndryshim drastik prej qeverisjes së kaluar”, përfundoi Mehmeti.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat