Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Socialdemokrate ka propozuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Propozimi është bërë gjatë takimit të përfaqësuesit të kësaj force politike me Presidentin Bajram Begaj, i cili ka nisur konsultimet me partitë politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Përfaqësuesi i PSD-së është i dyti që zhvillon një takim me kreun e shtetit gjatë ditës së sotme, pas kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Pas takimit me Begajn, Balla u shpreh se PS është e hapur për zhvillimin e zgjedhjeve në çdo datë, me përjashtim të 2 majit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse socialistët do të mbështesin propozimin e PSD-së për 9 majin.
Ndërkohë, partitë kryesore të opozitës kanë refuzuar të marrin pjesë në konsultimet e thirrura nga Presidenti. Pas Partisë Demokratike, edhe Partia e Lirisë ka vendosur të mos i përgjigjet pozitivisht ftesës së kreut të shtetit.
Përfaqësuesi i PL-së, Tedi Blushi, deklaroi se kjo forcë politike nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi konsultimi.
Edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar më herët ftesën e Presidentit si një “teatër politik”, duke argumentuar se kreu i shtetit duhet të përqendrohet te shqetësimet që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen ditën e diel, brenda periudhës 15 prill-15 maj. Presidenti Bajram Begaj ka afat deri më 6 nëntor për të shpallur datën zyrtare të zgjedhjeve.



