KreuAktualitetPolitikaZgjedhjet lokale në 9 maj/ Berisha sulmon Begajn dhe paralajmëron padinë në...

Zgjedhjet lokale në 9 maj/ Berisha sulmon Begajn dhe paralajmëron padinë në Kushtetuese

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Partia Demokratike do të kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese Reformën e re Territoriale, ndërsa paralajmëron se do të shpallë së shpejti kandidatët për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka sulmuar Presidentin Bajram Begaj, pasi ky i fundit ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrative, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi Begajn si “noterin e Padrinos”, duke e akuzuar se me veprimet e tij ka degraduar institucionin e Presidencës dhe po i shërben kryeministrit Edi Rama.

“Presidenti nuk ekziston, ekziston noteri i Padrinos. Qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Haram Begaj është thjesht noteri i Padrinos”, deklaroi Berisha.

Ai konfirmoi se opozita do ta ndjekë çështjen e Reformës Territoriale përmes të gjitha rrugëve ligjore, duke paralajmëruar dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Berishës, institucionet në vend janë kthyer në instrumente të kryeministrit, të cilin e akuzoi për përqendrimin e pushtetit.

Reforma e re Territoriale, e miratuar nga shumica socialiste dhe PSD, parashikon shkurtimin e 15 bashkive, ndryshim që PD e kundërshton dhe e konsideron të njëanshëm.

Pavarësisht kontestimit të procesit dhe paralajmërimit për betejë ligjore, Berisha bëri të ditur se opozita po përgatitet për zgjedhjet lokale dhe do të dalë së shpejti me emrat e kandidatëve për bashkitë, si dhe drejtuesit e rinj politikë të qarqeve.

Sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve, kreu i PD-së nuk konfirmoi nëse do të përdoret procesi i primareve, një mekanizëm që ai e ka promovuar pas rikthimit në drejtimin e partisë.

Berisha tha se për këtë çështje ka mendime të ndryshme brenda PD-së dhe se vendimi do të merret nga forumet drejtuese, në përputhje me statutin e partisë.

“Emrat e drejtuesve dhe kandidatëve do të jenë në një kohë sa më shpejt të mundur. Lidhur me procedurën, ka mendime të ndryshme dhe ajo do të vendoset nga forumet e partisë”, u shpreh ai.

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 9 majin 2027 si datën e zgjedhjeve vendore, ndërsa partitë politike kanë nisur përgatitjet për garën që do të zhvillohet sipas ndarjes së re administrative.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat