KreuAktualitetPolitikaVotimi elektronik në rrezik për zgjedhjet e 2027?/ Celibashi ia lë në...

Votimi elektronik në rrezik për zgjedhjet e 2027?/ Celibashi ia lë në dorë konsensusit politik

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Votimi elektronik mbetet një nga prioritetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, por shtrirja e tij në më shumë bashki duket se do të varet nga qëndrimi i partive politike dhe arritja e një konsensusi mes tyre.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka rikonfirmuar mbështetjen e institucionit për përdorimin e këtij sistemi, duke deklaruar se synimi është që votimi elektronik të aplikohet në sa më shumë njësi vendore. Megjithatë, ai pranon se kundërshtimi i Partisë Demokratike përbën një pengesë që nuk mund të shpërfillet, edhe pse, sipas tij, argumentet e opozitës kundër këtij sistemi nuk qëndrojnë.

Celibashi thekson se KQZ nuk mund të marrë një vendim që do të perceptohej si në interes të njërës palë politike dhe se për këtë arsye nevojitet një marrëveshje mes forcave politike.

“PD është partia kryesore e opozitës, është fakt që në gjykimin tim ne nuk mund ta injorojmë qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje, edhe pse shkaqet pse kjo parti kundërshton janë të pabaza”, u shpreh kreu i KQZ-së.

Ai shtoi se institucioni nuk ka arsye ligjore për të kundërshtuar votimin elektronik dhe se po punon që masat për zgjedhjet e ardhshme të përshtaten me hartën e re administrativo-elektorale.

Sipas Celibashit, nëse partitë nuk arrijnë një konsensus, vendimmarrja e KQZ-së për shtrirjen e sistemit bëhet e vështirë, madje, siç u shpreh ai, pothuajse e pamundur.

“Do të ishte mirë që të kishte një konsensus për këtë, përndryshe për KQZ-në ngel e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të marrë një vendim në interes të një pale”, deklaroi ai.

Deklaratat e kreut të KQZ-së e rikthejnë votimin elektronik në qendër të diskutimit për përgatitjet e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Ndërsa institucioni kërkon zgjerimin e tij, mbetet për t’u parë nëse mazhoranca dhe opozita do të gjejnë një marrëveshje për mënyrën dhe shtrirjen e përdorimit të teknologjisë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat